Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë të ditur se Gjykata Komerciale e Kosovës përmes një aktvendimi ka pezulluar vendimin e ZRrE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për një anëtar të Odës.
“Ky aktvendim nga Gjykata duhet të shërbejë si argument i fortë për ZRrE-në që të rishqyrtojë tërësisht dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset, për të parandaluar dëmtimin e konkurrencës së lirë, biznesit, qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës.”, thuhet në reagimin e odës.
OEK i ka bërë thirrje ZRrE-së që “pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë”.
“Gjithashtu ju njoftojmë se të hënën, përmes Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera të cilat po ashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRrE”, vijon njoftimi.