Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Numra nga Bosnja e Mali i Zi”, rriten rastet e mashtrimit të qytetarëve të Kosovës, në emër të ndihmës financiare për persona të tretë

“Numra nga Bosnja e Mali i Zi”, rriten rastet e mashtrimit të qytetarëve të Kosovës, në emër të ndihmës financiare për persona të tretë

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë rritur rastet kur qytetarët e Kosovës po mashtrohen në emër të ndihmës financiare për persona të tretë.

Sipas PK-së, persona të panjohur po kërkojnë ndihmë përmes numrave të telefonit të Bosnjës dhe Hercegovinës e Malit të Zi, në aplikacione si Viber e Whatsapp, duke i mashtruar qytetarët e bizneset të cilat po bien pre e tyre.

Policia ka bërë të ditur se hetimet e deritanishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.

“Në ditët e fundit, janë në rritje ankesat e qytetarëve në Policinë e Kosovës, ku qytetarë dhe biznese raportojnë raste të mashtrimit që kryhen në emër të ndihmës financiare për persona të tretë.

Sipas deklarimeve të palëve të dëmtuara, është konstatuar se persona të panjohur, për momentin, i kontaktojnë qytetarët përmes telefonit, duke përdorur aplikacione si Viber, WhatsApp etj., me numra telefonikë nga shtete fqinje (Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi), dhe kërkojnë ndihmë financiare në emër të personave të tretë. Ata udhëzojnë që mjetet financiare të dërgohen përmes filialeve të Western Union, MoneyGram dhe të ngjashëm.

Më vonë, palët e dëmtuara kuptojnë se mjetet nuk janë përdorur për qëllime ndihme, por për përfitime personale të individëve të dyshuar.

Bazuar në këto rrethana, u bëhet apel qytetarëve dhe bizneseve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj kërkesave të tilla, pasi hetimet e deritanishme kanë konstatuar se bëhet fjalë për skema mashtruese me qëllim përfitimi personal.”, thuhet në një komunikatë.