Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për “Kallxo Përnime”, ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të kandidojë për mandatin e dytë si presidente.
“Ende nuk e kam vendosur një gjë të tillë të them shumë sinqerisht sepse ka shumë faktorë që duhet me u shqyrtu. Si do të rrjedhë uji, lumi i politikës, është shumë herët ta themi tash për vitin 2026”, u përgjigj Osmani.
Ajo tha se është duke e bërë punën me qëllimet me të mira në interes të qytetarëve të Kosovës.
Osmani tutje tha se në kohën kur kishte votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë Kurti 1, ka dalë në mbrojtje te parimeve që u ka premtuar qytetarëve dhe se nuk ka pasur marrëveshje me Kurtin për ketë çështje.
“Në vitin 2020 kur u rrëzua atëherë Qeveria Kurti 1, unë kam dalë në mbrojtje të parimeve që i kam premtu para qytetarëve të Kosovës, dhe kam votu kundër rrëzimit të Qeverisë, kundër asaj metodologjie shumë të shëmtuar që u organizu prapa shpine, pa e mendu në asnjë moment se çka do të ndodhë me mua, as nuk e kam mendu a do të më përjashtojnë partia në të cilën isha. Nuk kam pasë asnjë marrëveshje me Kurtin, as askënd tjetër”, ka thënë Osmani.
Por, a do të vazhdojë Vjosa Osmani të jetë në politikë pas pozitës si presidente?
“Nuk më heqin qafe edhe aq lehtë”, u përgjigj shkurt ajo.