Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Nuk është më interes i SHBA-ve vetëm shkëputja e Serbisë nga Rusia por edhe e kësaj të fundit nga Kina

Nuk është më interes i SHBA-ve vetëm shkëputja e Serbisë nga Rusia por edhe e kësaj të fundit nga Kina

Shkruan: Afrim Kasolli

Është thënë shpesh se njëra nga arsyet e tolerancës perëndimore në raport më Serbinë është qëllimi strategjik i vendeve të para për ta tërhequr më çdo kusht këtë fundit në vorbullën e tyre dhe për ta shkëputur nga lidhjet simbiotike me Rusinë. Një synim i tillë është menduar si hap vendimtar drejt krijimit të një ambienti edhe me stabil të sigurt dhe paqësor edhe në Ballkanin Perëndimor. Me anë të kësaj kthese në fund është shpresuar që të arrihet edhe normalizimi i plotë i raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për integrime evropiane.

Ky imperativ strategjik është bërë më akut veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, për shkak të deficiteve energjetike që ka shkaktuar për kontinentin kjo luftë, si dhe sfidave ekonomike që është duke i imponuar konkurrenca kineze.  Në funksion të kompensimit të së parës dhe rivalizimit të së dytës, Beogradi ka nënshkruar kontrata me shtete si Gjermania për shfrytëzimin e pasurive minerale, sikur se ajo për litiumin dhe traktati energjetik me SHBA-të. Po ashtu, është pajtuar që të pajiset më avionë luftarakë francez. Si pasojë e këtyre zhvillimeve është krijuar edhe përshtypja mbi zbehjen e presionit perëndimor mbi regjimin e Aleksandër Vuqicit, në raport me sabotimet që i ka bërë edhe obligimeve që ka marrë lidhur me Marrëveshjet e dakorduara në Bruksel me Kosovën. Po ashtu, ndihma ushtarake për Ukrainën ka qenë një benifit shtesë për Serbinë.

Mirëpo, me ndryshimet politike që do të ndodhin në Shtëpinë e Bardhë, për shkak të fitores së kandidatit republikan Donald Trump, pritet që të ndryshojnë edhe prioritetet strategjike të Uashingtonit. Nuk është më pyetje vetëm shkëputja e Serbisë me çdo kushte nga Rusia, por e kësaj të fundit nga Kina. Vetë presidenti Trump, në një intervistë në tetor të vitit të kaluar me gazetarin Tucker Carlson, kishte deklaruar se qëllimi i tij mbetet divorcimi i Moskës dhe Pekinit nga njëri tjetri.

E kam potencuar edhe në shkrimin “Ringjallja’ e Bismarck-ut në Shtëpinë e Bardhë” se kjo qasje është riinakrinim i strategjisë së viteve ’70 të shekullit të kaluar, kur administrata amerikane e ish-presidentit Richard Nixon, ia kishte dalur nën ndikimin e ish-këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe ish-Sekretarit Amerikan të Shtetit, Henry Kissinger, ta përçante aleancën sino-sovjetike, me qëllim izolimin e Bashkimit Sovjetik, njërit prej rivaleve kryesor gjeopolitik atëbotë të SHBA-ve dhe në këtë mënyrë të pengohej një bllok unik ideologjik i pushtetit në euro-azi. Mirëpo, siç dihet ky riaranzhim nuk kishte ndodhur pa një kompromis. Ngase, që nga ajo kohë, ishulli i Tajvanit e humbi të drejtën të jetë përfaqësues legjitim i Kinës në marrëdhëniet ndërkombëtare si kishte funksionuar deri atëherë. Dhe stafeta e këtij përfaqësimi i kaloi Pekinit.

Ndërkohë, sot pika e fokale nevralgjike ku pritet të gjeje shprehje ky projekt mbetet lufta në Ukrainë. Për këtë arsyeje edhe presidenti i sapozgjedhur amerikan, e ka emëruar edhe të dërguarin e posaçëm për konfliktin Rusi-Ukrainë, Gjeneralin Keith Kellogg në kërkim të një zgjidhje politike. Në linja të përgjithshme, sipas tij si  zgjidhje imediate mbetet ngrirja e linjave të konfliktit, ku Rusia e ruan kontrollin e territoreve të pushtuara, si dhe pezullohen planet e Kievit për anëtarësim në NATO. Ndër të tjera këto vija të frontit do të ngrihen përmes një armëpushimi, ku do të vendoset një zonë e demilitarizuar. Rusisë do t’i lehtësohen sanksionet nëse bie dakord me këtë armëpushim, kurse suspendim i plotë i tyre do të mund të ndodhë vetëm atëherë kur të nënshkruhet një marrëveshje paqeje me të cilën është dakord edhe Ukraina.

A do të pranohet ky skenar nga presidenti rus, Vladimir Putin mbetet të shihet, sepse si i tillë ai nuk është në pajtim me qëllimet e asaj që ai e kishte qujtuar si operacion special në Ukrainë sikur se  “denazifikimi dhe demilitarizimi” i përhershëm i Ukrainës dhe një lloj veto permanente e Moskës mbi Kievin, sa i përket anëtarisimit të mundshëm të këtij shteti në NATO.

Megjithatë, analistë të ndryshëm, kanë hedhur dyshime mbi suksesin e mundshëm të Uashingtonit për ta inauguruar këtë ndarje. E para, sipas historianit të njohur amerikan Stephen Kotkin, tashmë në këto regjime dominon bindja se SHBA-të, si fuqi janë në rënie e sipër. Dhe këtij kalkulimi i kanë shërbyer disa ngjarje që kanë ndodhur në të kaluarën. Lufta në Irak, humbja e paqes në Afganistan, kriza e madhe financiare e viteve 2008, si dhe recesioni i madh e forcuan pikëpamjen ë rënies së SHBA-ve dhe në përgjithësi të Perëndimit kolektivisht. Këto episode kanë ndikuar që këto Kina dhe Rusia të shohin vetin si ardhmja kurse rivalet e tyre strategjik si e kaluara. Madje pa këto impresione vështirë se do të kishte ndodhur intervenimi brutal i Kremlinit mbi Ukrainën. Prandaj, është alogjike që ato ta distancohen nga njëra tjetra deri sa e mbrojnë këtë besim.

Në anën tjetër, Alexander Gabuev, në shkrimin, e botuar sot Foreign Affairs me titull “Can Trump Split China and Russia?-Why Beijing and Moscow’s Partnership Will Be Hard to Break”, pohon se gjatë kësaj kohe, Rusia është bërë tejet e varur nga Kina në aspektin ekonomik. Kështu, 40 për qind të importeve ruse vijnë nga Kina dhe 30 për qind të eksporteve ruse shkojnë atje. Kjo varësi po thellohet dhe nuk mund të  anulohet brenda një nate. Po ashtu, Putin dhe Xi, janë të vetëdijshëm qe ky është mandati i fundit i presidentit Trump. Dhe një president i ardhshëm amerikan mund të jetë shpërfillës ndaj çdo marrëveshje të arritur nën presidentin republikan. Kurse, të dy liderët planifikojnë të qëndrojnë në pushtet edhe pas vitit 2029. Pra, përveç afërsisë personale autokratike, mosbesimi i tyre i përbashkët ndaj Uashingtonit, lidhet edhe me shpresën  për t’u bërë më të fuqishëm në një rend të ri multipolar në dëm të Shteteve të Bashkuara, çfarë do ta bëjë aleancën e tyre edhe me të qëndrueshme.

Në këtë kontekst, tensionet ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë, në vend se të tejkalohen ka gjasa që të agravohen edhe më shumë. Këto raporte pa dyshim se do kishin implikime gjeopolitike edhe në rajonin  tonë. Sepse do të vazhdojmë ta kemi një Serbi të joshur nga Perëndimi për t’u bërë pjesë e tij, mirëpo e cila do të vazhdojë të tentojë të përfitojë nga të dy këto botëra, rivaliteti i të cilave po e sfidon dita ditë rendin ndërkombëtar. /TV Arbëria

Themes by WordPress