Shkruan: Afrim Kasolli
Para dy dite ministrja e Qeverisë së Serbisë, Snezhana Paunoviq, shprehu “kritika” ndaj ish- presidentit Jugosllav, i njohur ndryshe si “Kasapi i Ballkanit”, Slobodan Milosheviq, pse nuk ishte treguar edhe më shumë mizor ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Po të isha në vend të tij ajo deklaroi “se do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën pa humbur kohë”. Asgjë nuk e pasqyron pamundësinë politikës serbe për t’u çliruar nga doktrina e mentalitetit fashist kundër shqiptarëve se sa kjo deklaratë. Madje edhe gjatë viteve ’90 kur Milosheviqi nuk sulmohej nga oponentët e tij për politikën e spastrimit etnik ndaj popujve tjerë, por pse ai nuk po arrinte ta finalizonte plotësisht atë projekt.
Në këtë drejtim, as nuk është e rastësishme që në pushtet janë ata që dikur ishin pinjollët e regjimit të Milosheviqit. Sepse vetë shoqëria serbe nuk është e gatshme t’i pranojë të bëmat monstruoze që liderët e saj politik ushtruan ndaj tjerëve. Prandaj në këtë substrat psiko-social vazhdimisht ushqehet një nostalgji oreksndjellëse për krimin.
Sidoqoftë, ky deklarim i ministres serbe në fjalë në këtë kohë e ka një “dobi” Sepse ai ndodhi në fazën përfundimtare të Gjykatës Speciale ndaj krerëve të UCK-së. Prandaj, trupi gjykues ka mundësi më qartë se asnjë herë tjetër ta dëgjojë me veshët e tyre, se pse ata që po mbahen peng në Hagë, ishin të detyruar të luftonin kundër shtetit serb. Ngase ky i fundit historikisht është i njohur për projektin gjenocidail ndaj shqiptarëve.