Britaniku Lando Norris ka fituar garën e Formula 1 në Çmimin e Madh të Britanisë, të zhvilluar të dielën në kushte të lagështa dhe me shumë kaos në pistë.
Piloti i McLaren ia doli të triumfojë pas një beteje të fortë me shokun e skuadrës, australianin Oscar Piastri – liderin aktual të kampionatit.
Gara u karakterizua nga momente dramatike, përplasje, dalje të veturës së sigurisë dhe disa incidente të tjera që ndikuan në renditjen përfundimtare.
Podiumin e kompletoi gjermani Nico Hülkenberg me makinën Sauber, duke arritur rezultatin më të madh të karrierës së tij pas 239 garash pa podium – një rekord historik për Formula 1.
Fitorja e Norrisit u lehtësua nga një penalizim prej 10 sekondash që iu dha Piastrit për shkelje të rregullave ndaj veturës së sigurisë.
Ky ndëshkim e rrëzoi australianin nga pozita e parë dhe ia hapi rrugën Norrisit drejt fitores, duke ia zvogëluar epërsinë në renditjen e përgjithshme në vetëm tetë pikë në mes të sezonit.