Aparati për matjen e ndotjes së ajrit në Prishtinë i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, sot nuk e paraqiti gjendjen e keqe të ndotjes në kryeqytet. Para pak çastesh matja tregoi vlerën e cilësisë së ajrit në vlerën 2.5 PM, që është e kategorizuar në indeksin e gjelbër, e që tregon se ndotja, së paku deri më tash nuk është e keqe.
Në web faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane të Kosovës, ku indeksi i matjes së ajrit përditësohet për çdo orë, thuhet se “Një mjet për ta bërë këtë është Indeksi i cilësisë së ajrit (AQI), i cili i kthen të dhënat e cilësisë së ajrit në numra dhe ngjyra për t’ju ndihmuar njerëzve të kuptojnë se kur duhet marrë masa për ta mbrojtur shëndetin e tyre. Monitoruesi i cilësisë së ajrit që ndodhet në Ambasadë mat grimcat në ajër në Prishtinë çdo orë, duke përfshirë pluhurin, baltën, blozën, tymin dhe pikat e lëngshme. Grimca të tilla mund të jetë rezultat i lëshimit të gazrave nga automjetet dhe termocentralet, nga djegia e qymyrit apo e drurit, apo ndodhi të drejtpërdrejta si zjarret në maje dhe mund të mbetet pezull në ajër për periudha të gjata kohore. Grimcat e kësaj madhësie, rreth 1/30 të diametrit të mesatares së fijes së flokut të njeriut, përbëjnë rrezikun më të madh për shëndetin. Studimet shkencore kanë lidhur ndotjen afatgjatë prej grimcave, veçanërisht nga grimcat e imta, me probleme të mëdha të shëndetit, si sëmundje të zemrës dhe të mushkërive”, thuhet veç tjerash shjegimin shkencor.
Po ashtu edhe mjekët janë të shqetësuar, sidomos në këtë stinor dimri për vlerat në rritje të ndotjes.
Specialistja e mjekësisë familjare në Prishtinë, Florie Morina-Hyseni tha se këto ditë kanë vërejtur numër të shtuar të pacientëve që kërkojnë trajtim shëndetësor për shkak të problemeve kronike.
Ajo thotë se ndotësit e ajrit, gazrat dhe grimcat në atmosferë ndikojnë fuqishëm në shëndetin e njeriut, klimën dhe mjedisin.
Dr. Hyseni nënvizoi se një prej faktorëve që e përkeqëson gjendjen ose e favorizon paraqitjen e infeksioneve të traktit respirator është edhe ndotja e ajrit, e cila në kohët e fundit është mjaft e shprehur, pohoi ajo duke shtuar se ndotja e ajrit ndikon në përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, sidomos në shëndetin e atyre që janë më të ndjeshëm, siç janë personat në moshë dhe fëmijët.
Disa studime e analiza të realizuara nga institucionet e Kosovës, organizatat e specializuara mjedisore kanë vërejtur se tymtarët e Obiliqit, automjetet në trafik dhe përdorimi i qymyrit për ngrohje gjatë dimrit, paraqesin faktorët kryesorë të ndotjes në nivele alarmante në kryeqytet.
/TV Arbëria