Shqipëria ka mbyllur rrugëtimin për në Euro2024 pasi doli e humbur me rezultatin 0-1 në përballje me Spanjën.
Një ndeshje shumë e fortë përballë një skuadre e njohur “kampione”. Ekipi shqiptar bënte pjesë në grupin B, i ashtëquajtur “grupi i vdekjes”, pasi tre kundërshtarët Italia, Kroacia dhe Spanja ishin ekipe shumë të forta për skuadrën “fillestare” në këtë kampionat.
Edhe pse nga Euro2024 dolëm në vendin e katërt jemi larguar “me kokën lart”, pasi përpjekja e djemve të kombëtares ishte shumë e madhe.
Veç rezultatit rëndësi të madhe pati edhe tifozeria shqiptare e cila “theu” rekord pasi mbuloi në tre ndeshje pothuajse të gjithë stadiumin me ngjyrat kuq e zi.
Pjesëmarrja e tyre e shumtë tërhoqi vëmendjen e të gjithë shteteve dhe mediave nëpër botë. Një prej momenteve epike të tifozëve ishte kur në ndeshjen Shqipëri-Itali një tifoz shqiptar u fut në mes të fushës së stadiumit duke shmangur të gjitha rojet e sigurisë për të dhënë nga afër mbështetjen e tij djemve të kombëtares shqiptare.
Sami Rexhepi ishte tifozi i cili u fut në fushë duke ndërprerë për pak minuta ndeshjen me Italinë për të përshëndetur djemtë e kombëtares. Ai gjithashtu u shpreh se arsyeja pse kreu veprimin ishte se kishte vënë një bast me djalin e tij të vogël për këtë veprim.
Gjithashtu në ndeshjen Shqipëri-Spanjë një djalë i mitur, tifoz i shqipërisë ka hyrë në fushën e stadiumit duke ndërprerë ndeshjen për pak minuta. Situata ishte e njohur por fakti interesant është që tifozi i vogël ishte djali i Sami Rexhepit, i cili kreu të njëjtin veprim në ndeshjen me Italinë.
Si duket edhe djali i vogël do të ketë vënë bast me babain e tij dhe ka hyrë në fushë për të përshëndetur djemtë e kombëtares duke shmangur mjaft mirë rojet e sigurisë njësoj si i ati.
Përveç golave të dy djemve dhe paraqitjes së mirë të kombëtares shqiptare, Shqipëria ka hyrë në histori edhe për tifozerinë më të “çmendur” dhe “guximtare”. Dy nga djemtë “shkruan” histori në mënyra të ndryshme si: Bajrami me golin më të shpejtë në historinë e Europianit dhe Gjasula i pari me autogol dhe gol brenda një ndeshjeje.