Ka kaluar një vit nga protestat që ishin organizuar në veri të vendit, protesta këto nga komuniteti serbë. Përmes tyre kundërshtoheshin kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore, raporton TV Arbëria.
Shkruan: Elda Islami
Këto pretesta ishin “shkak” që Kosova sot të jetë nën sanksione nga Bashkimi Evropian, kjo sepse BE konsideronte se Kosova nuk po bënë hapa të mjaftueshëm për stabilizimin e situatës në veri.
Për këto masa është duke u përgatitur edhe një raport nga përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, ku së fundmi është raportuar se në këtë raport do të përfshihet dhe aksioni i fundit në veri të nga Policia e Kosovës, ku u mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë.
Heqja e masave ndaj Kosovës, sa po rrezikohet vendi nga këto veprime?
Lidhur me këtë se sa mund të rrezikojë kjo situatë heqjen e masave ndaj Kosovës për TV Arbëria ka folur analisti politik, Shemsi Jashari i cili thotë se këto masa nuk do të largohen derisa Qeveria e Kosovës të sillet si e pjekur.
“Aleatët tanë stratgjik SHBA dhe BE, ka kohë që e kanë bërë të qartë se kur kërkojnë diçka nga Kosova që paraprakisht ka marr obligime, nuk presin kushtëzime prandaj edhe kanë vënë masa (sanksione) dhe ato nuk do ti largojnë para se kjo qeveri të sillet si e pjekur”, tha analisti.
Tutje thotë se sipas tij në këtë raport nuk do të rekomandohet heqja e masave ndaj Kosovës, pasi kërkesa për të ecur drejt impelmentimit te marrveshjeve të arritura, sipas tij ka ngecur.
Analisti gjithashtu potencon se: “Z.Kurti ka humbur beismin e aleatëve pasi disa herë i ka befasuar prandaj ata do të vendosin mekanizma detyrues për të siguruar zbatimin e atyre marrveshjeve që vet z.Kurti i ka pranuar dhe është zotuar se do ti zbatoj”.
Ura e Ibrit- Ndërlidhja me dialogun
Në të njëjtën kohë pas këtij aksioni që mund të rrezikohet heqja e masave ndaj Kosovës, temë aktuale është dhe hapja e Urës së Ibrit në veri të vendit, urë kjo e cila e ndan pjesën veriore të Mitrovicës.
Këshilli komunal i Mitrovicës së veriut, është pro hapjes së kësaj ure, e që reagime të shumta ka pasur pas kësaj.
Bashkimi Evropian ka reaguar menjëherë pas këtij lajmi, duke thënë se çdo vendim që lidhet me Urën e Ibrit duhet të merret përmes dialogut.
Njëjtë ka reaguar dhe KFOR-i, i cili bënë thirrje që çdo vendim lidhur me urën kryesore mbi lumin Ibër të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja.
Por sa mund të ndikojë kjo në destabilizimin e situatës?
Për këtë ka folur eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ku për TV Arbëria potencoi se institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të kenë parasysh veprimet e tyre pasi sipas tij, serbët lokal mund t’i përgjigjen hapjes së urës, me aktivitete të dhunshme.
Sipas ekspertit të sigurisë është shumë e rëndësishme që institucionet e Kosovës të veprojnë në kordinim me KFOR-in, Amerikën dhe zyrat e QUINT-it rreth një plani i cili ofron siguri.
‘Institucionet e Kosovës duhet të marrin në konsideratë pasojat që mund të vijnë nga veprimet e serbëve lokal apo nga Beogradi nën arsyetimin për t’ju ofruar siguri serbëve lokal prandaj është tejet e nevojshme që të kemi kordinim me KFOR-in, Qeverinë Amerikane, zyrat e QUINT-it të cilat janë përpjekur në vazhdimsi që të ndihmojnë proceset integruese të Kosovës, dhe kështu të kemi një plan koherent që bazohet në intelegjencë, plan i cili ofron më shumë siguri’’, tha Bedri Elezi.
Kujtojmë se protestat e serbëve në veri kanë ndodhur pas 26 majit 2023, pasi kryetarët e rinj, në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok u futën në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, e kjo u kundërshtua me protesta të dhunshme nga serbët lokal.
Ndërkohë pa kaluar katër muaj nga këto protesta më 24 shtator 2023, ka ndodhur sulmi terrorist në Banjskë, nga serbët, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i Policisë së Kosovës. /TV Arbëria