Një top i ri do të përdoret në gjysmëfinalet dhe në finalen e Euro 2024 dhe tifozët sapo e kanë kuptuar arsyen e vërtetë që fshihet prapa këtij vendimi të UEFA-s.
Pas tri javësh plotë dramë, argëtim dhe gola, Euro 2024 po vjen drejt fundit.
Nga 24 ekipe pjesëmarrëse sa ishin në fillim tani kanë mbetur vetëm katër, dhe ato do të shkojnë kokë më kokë në gjysmëfinale për një vend në finale.
Të martën Spanja dhe Franca do të përballen në Munich, para se Anglia dhe Holanda të luajnë një ditë më vonë në Dortmund.
Anglia e siguroi vendin e tyre në gjysmëfinale pas fitores në penallti ndaj Zvicrës, para se Holanda me rikthim ta mposht Turqinë me rezultat 2-1.
Në të njëjtën mënyrë si Anglia kualifikimin e siguroi edhe Franca ndaj Portugalisë duke fituar pas ekzekutimit të penalltive.
Spanja e eliminoi nikoqirin Gjermaninë, falë një goli të Mikel Merinos në minutën e 119-të i cili theu zemrat e tifozëve gjermanë.
Përkundër faktit që shteti nikoqir nuk do të jetë më pjesë e kësaj gare, ata do jenë të përfaqësuar në gjysmëfinale dhe finale.
Kjo për shkak se Adidas dhe UEFA kanë prezantuar një top të ri i cili do të përdoret në tri ndeshjet e fundit të kësaj gare.
Topi ‘FUSSBALLLIEBE FINALE’ është një version i rifreskuar i topit i cili është përdorur më herët gjatë kësaj gare, ku dominon ngjyra e zezë ndërsa ka disa pika të kuqe dhe ari që përfaqësojnë ngjyrat e Gjermanisë.
The Euro 2024 ball for the semi-finals and final has been revealed, inspired by the national colours of Germany and the silverware the final four teams are competing for 🙌⚽ pic.twitter.com/NFo8sjPONa
— Sky Sports Football (@SkyFootball) July 7, 2024
Megjithatë, për fazën finale të Euro 2024, baza e bardhë e topit është zëvendësuar me argjendin që bie në sy, që përfaqëson trofeun për të cilin po luftojnë katër skuadrat.
Adidas thotë se ngjyra e argjendtë është zhvilluar dhe testuar posaçërisht me atletët për t’u siguruar që ajo të dallohet në fushë pa reflektuar dritën nga sipërfaqja.
Për herë të parë në historinë e Euro-s, topi i përdorur në gjysmëfinale dhe finale do të ketë teknologjinë Connected Ball që u jep të dhëna precize zyrtarëve të ndeshjeve në kohë reale.
Të dhënat e pozicionimit të lojtarëve në fushë së bashku me ndihmën e Inteligjencës Artificiale (IA) kontribuojnë në teknologjinë gjysmë të automatizuar të pozitës jashtë loje.