Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Një takim në mes të pasigurisë globale

Një takim në mes të pasigurisë globale

Shkruan: Afrim Kasolli

Mediat ndërkombëtare njoftuan dje se javën e ardhshme, saktësisht ditën e mërkurë, pritet të mbahet një takim ndërmjet Presidentit të SHBA-ve Joe Biden dhe atij të Kinës Xi Jinping, në qytetin e San Francisko-së. Ky takim zhvillohet në kuadër të forumit për Bashkëpunimin Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Si i tillë ai mbahet në një kohë kur kërcënimet ndaj sigurisë globale janë agravuar më shumë se kurrë me parë. Lufta në Ukrainë, për shkak të pushtimit të kësaj të fundit nga Rusia në kundërshtim me të gjitha rregulluat e së drejtës ndërkombëtarë, si konflikti ndërmjet Izraelit si dhe militantëve të grupit të armatosur palestinez të Hamasit, pasi ky i fundit kreu një sulm të armatosur me 7 tetor në shtetin e Izraelit, ku mbetën të vrarë më shumë se 1400 qytetarë e kanë përshkallëzuar tej mase mundësinë e një lufte më të gjerë si rajonale, apo edhe “apokaliptike” globale.

Por nuk janë vetëm këto tema që pritet ta dominojnë takimin ndërmjet liderëve të këtyre dy vendeve me ekonominë më të zhvilluar në botë. Ambiciet gjeopolitike të Kinës dhe veçanërisht synimet e saj për ta aneksuar brenda sistemit të saj politik dhe shtetëror ishullin e Tajvanit, me që rast ky shtet do të depërtonte edhe më thellë në hapësirën oqeanike të Azi-Paqësorit, e formojnë boshtin tjetër të rivaliteteve dhe mosmarrëveshjeve në mes Uashingtonit dhe Pekinit.

Madje Kina ka kohë që i ka bërë të qarta projeksionet e saj revizioniste gjeopolitike. Ajo e konsideron rendin e dalur nga Lufta e Ftohtë si një ombrellë që u shërben vetëm interesave hegjemonike të SHBA-së . Në këtë kontekst, Kina së bashku me Rusinë i kanë bashkuar gjithnjë e shumë forcat tyre me qëllim që t’i minojnë parametrat e këtij rendi. Edhe Moska që nga samiti i sigurisë Mynih të Gjermanisë të mbajtur në vitin 2004 e ka quajtur fundin e Luftës së Ftohtë si një katastrofë gjeopolitike për Rusinë.

Mirëpo, në dallim nga kjo e fundit që me aksione të drejtpërdrejta dhe intervenime ushtarake sikur se në Gjeorgji dhe Ukrainë ka tentuar ta “korrigjojë këtë padrejtësi”, Kina është përmbajtur nga veprime të tilla. Ajo e ka ndjekur strategjinë e investimeve në shumë pjesë të botës me qëllim që nëpërmjet levave ekonomike ta shtrijë edhe pushtetin saj kulturor dhe politik. Si shembull mund të merret projekti “Brezi dhe rruga”. Shënimi i kësaj ngjarje u bo jo më larg se muajin e kaluar në Pekin. Në këtë ceremoni krahas shumë liderëve, diplomatëve dhe përfaqësueseve të shteteve të ndryshme nga bota, i pranishëm ishte edhe Presidenti rus, Vladmir Putin. Shumëkush e pa këtë ngjarje, pikërisht si pjesë e përpjekjeve të liderit kinez dhe atij rus për të promovuar një rend alternativ ndërkombëtar, ku modeli autokratik i sfidon vlerat demokratike. Të dy drejtuesit janë takuar më shumë se 40 herë gjatë sundimit të tyre

Kurse, në anën tjetër SHBA-të e kishin mbështetur Kinën që të integrohet në kuadër të mekanizmave multilateralë financiar, sikur se në Organizatën Botërore të Tregtisë në vitin 2001, me shpresën se ai shtet do të liberalizohej edhe më shumë. Mirëpo pas gati dy dekada gjërat kanë shkuar në drejtim të kundërt. Madje një dokument politik i përbërë më shumë se 13 mijë fjalë, i publikuar jo më larg se në muajin shtator nga autoritet shtetërore kineze, e pasqyron qartë këtë tendencë të Kinës, raporton CNN. Sipas këtij vizioni, Kina po u thotë vendeve tjera, “ju mund të mos e pëlqeni regjimin e brendshëm politik të Kinës apo Rusisë, por nëse dëshironi që bota të ketë siguri dhe paqe u duhet krijuar hapësirë edhe këtyre regjimeve për mbijetesë dhe lulëzim”. Prandaj edhe aleanca e Kinës me Rusinë dhe antagonizmat me SHBA-të kushtëzohen nga këto botëkuptime të ndryshme planetare. Sepse në fund të fundit, nuk ekzistojnë vlerat universale, sikur demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut etj, si i ka konceptuar ato bota perëndimore. Por shtetet luftojnë për maksimizimin e fuqisë së tyre. E pikërisht çmontimi i kësaj aleance ndërmjet këtyre dy shteteve autokratike mbetet interes strategjik i Uashingtonit. Ashtu edhe siç ky i fundit e kishte dekompozuar gjate viteve ’70 të shekullit të kaluar afërsinë sino-sovjetike.

Rrjedhimisht, takimi ndërmjet Presidentit Joe Biden dhe Xi Jiping, mbahet pikërisht në sfond të këtyre kontradiktave. Sa do të ketë sukses kjo nisme mbetet të shihet? Por një gjë është qartë, të dy shtet e shohin veten gjithnjë e më tepër në një konkurrencë të drejtpërdrejtë për të siguruar avantazh ushtarak, për të pasur epërsi në ekonominë e shekullit të 21-të dhe për të siguruar aleancat e vendeve të tjera, shkruan Zeri i Amerikës.

/TV Arbëria

Themes by WordPress