Gjatë ditës së sotme Zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është takuar me të dërguarin e Bshkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Mirëpo, ajo që bie në sy lidhur me këtë takim, mbetet mënyra e ndryshme se si është interpretuar përmbajtja e tij, me theks të veçantë vendimi i BQK-së, për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës.
Sipas komunikatës së Qeverisë së Kosovës, në takim përpos që është biseduar për marrëveshjen bazë të Brukselit dhe zbatimin e saj sipas një plani të sekuencuar në mënyrë të drejtë dhe të barabartë. Po ashtu, i emëruari i Qeverisë së Kosovës për dialog ka pohuar se rregullorja e BQK-së nuk është pjesë e procesit të dialogut dhe e njëjta nuk është subjekt i negociatave mes palëve.
Mirëpo, në dallim nga ky interpretim, i dërguari evropian për bisedimet Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka pohuar se kanë diskutuar si për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve por edhe për përdorimin e dinarit serb.
Për më shumë diplomati nga Brukseli ka shtuar se, “janë disa pikëpyetje që shkojnë përtej mandatit të këtyre ekspertëve dhe I kemi diskutuar këto çështje me zotin Bislimi. Komunikimi ynë do të vazhdoj՜ dhe planifikojë organizimin e një takimi të ri në ditët në vijim në nivel të kryenegociatorëve”.
Këto dy interpretime të ndryshme ,megjithatë tregojnë se në këtë takim është biseduar për çështjen e dinarit. Por edhe se kjo temë nuk është e negociueshme e nuk është e vërtetë, sepse Kosova megjithatë kishte pranuar ta dërgonte delegacionin e BQK-së të prirë nga Guvernatori Ahmet Ismaili në takimin e mbajtur me datë 27 shkurt. Kurse pala serbe ishte përfaqësuar nga kryenegociatori i saj, Petar Petkoviç. Ndërkohë Miroslav Lajçak pas përfundimit të këtij takimi kishte deklaruar se shumë pikëpyetje politike për çështjen e dinarit serb në Kosovë mbetën pa përgjigje – duhen takime shtesë”.
Tashmë mbetet të shihet se kur Qeveria e Kosovës do ta marrë vet mandatin e dorëzimit të sovranitetit të vendit para Lajçakut dhe të mos maskohet para autoriteteve të Bankës Qendrore të Kosovës siç pat vepruar herën e fundit.
/TV Arbëria