Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Një rrëfim për ‘qentë endacak’ dhe dinarin serb!

Një rrëfim për ‘qentë endacak’ dhe dinarin serb!

Shkruan: Astrit Veliqi

 

Si për çudi, jemi vendi që sa herë zgjohemi në mëngjes, posa të dalim në rrugë, përballjen e parë e kemi me disa ‘mysafir të paftuar’, sikur janë qentë endacak të cilët janë bërë rrezik për çdo kalimtarë në rrugë por edhe po e ‘sfidojnë’ shtetin tonë të brishtë.

Kjo është pak a shumë fotografia e ‘shëmtuar’ që po përçon Kosova sa herë po sfidohet integrimi dhe e ardhmja e saj jo vetëm nga fqinji jonë verior por edhe nga disa veprime tona të cilat edhe pse po trumbetohen si suksese, pas 24 orësh po ‘krisin’ mospajtimet e aleatëve tanë perëndimor.

Por pse po ndodh kjo?!

A është tregues ky paradoks, që vendimet që po i marrim ‘shkel e shko’, po na kushtojnë pastaj?

Megjithatë, tek e fundit jemi shtet, e po marrim vendime shtetërore, por si duket ende jemi ‘shtet tinejxher’, ngase brenda dy javësh do ta festojmë 16-vjetorin e pavarësisë.

16 vjet shtet, duken pak si numër por, si kohë e vite janë të mëdha, që brenda kësaj përiudhe kanë ndodhur shumë ngjarje, megjithatë përkundër shumë sfidave, pamje e shëmtuar e frikës janë edhe qentë endacak për të cilët shumë veprime e strategji kanë mbetur vetëm në letër.

E pas ‘sfidës’ së madhe me qentë endacakë, për të cilët si duket nuk po shihet një ‘dritë në fund’ të tunelit, rasti i fundit që ka nis ta sfidojë shtetin është ai për dinarin serb, për të cilin u çuen në këmbë jo vetëm serbët në Beograd, por edhe ambasadorët e QUINT-it në Prishtinë, sikurse edhe emisari i dialogut ‘zbarkoi’ në Prishtinë, derisa tash së fundi reagoi ashpër edhe DASH.

Presioni është i madh, derisa kryeministri e institucionet tjera po këmbëngulin që vendimi nuk do të ndryshohet, megjithatë shtetet aleate e sidomos ShBA, po i frikësohen tensioneve ndëretnike.

Dje ambasadori amerikan pas takimit me Kurtin, ishte i qartë dhe i kërkoi me shumë seriozitet publikisht atij për vendimin.

Derisa pas deklaratës së tij, krejt në mbrëmje erdhi edhe deklarata e prerë nga zyra e Sekretarit amerikan, Blinken e cila urgjentisht kërkonte të shtyhej vendimi i zbatimit për dinarin serb.

E si duket ky presion i madh, e vuri Kurtin në mes ‘dy zjarreve’, ose te vazhdoj me vendimin ose ta shtyjë atë, e kjo e dyta do ta shpëtonte më lehtë ‘karrigen’ e kryeministrit, por që në opinion u pa si një ‘fitore’ për shtetin e Kosovës, duke ndaluar valutën e dinarit.

Megjithatë vendimet politike janë të tilla dhe shpesh kanë kosto edhe kur vihet në pyetje e ardhmja e vendit, e një rast i ngjajshëm kishte ndodhur në komunat veriore, kur kryetarët e zgjedhur atje tentonin t’i dërgonin me njësi speciale të Policisë, me çka edhe ndodhën me pasë përplasje të fuqishme ku nga huliganët serbë u lënduan disa ushtarë të KFOR-it, por nuk u kursyen edhe shumë gazetarë e veturat e medieve në vend.

Këtë pamje dhe skenar në një rast e pata konsideruar: “Një triumf për kryeministrin por një autogol për Kurtin”.

Prandaj edhe kështu ndodhi, ngase kryeministri u aplaudua për vendimet në veri dhe shtrirjen e gjoja sovranitetit atje, megjithatë, Kurti u përballë me presion të madh amerikan e evropian duke pasuar për herën e parë me shumë pasoja, ku Kosova u bë cak i sanksioneve si nga ShBA edhe nga BE.

Andaj edhe vendimi për dinarin serb, nëse nuk menaxhohet si duhet nga Qeveria jonë mund të bëhet një problem i madh dhe agresiv sikur ‘qentë endacak të kryeqytetit’, të cilët tash në stinën e dimrit, kërkojnë gjahun e tyre në çdo skutë të Prishtinës.

Krejt në fund, vendimi për dinarin është më shumë teknik që i takon BQK-së, megjithatë reagimet e fundit tregojnë që ai tashmë është shëndrruar në problem politik, dhe si i tillë edhe duhet zgjidhur.

Në të kundërtën, pasojat për vendin edhe mund të rriten sikurse edhe për vetë kryeministrin, duke bërë që dinari serb të bëhet ‘gogol’ edhe i vetë ‘kolltukut’ të tij.

Themes by WordPress