Gjykata Themelore e Prishtinës ka caktuar një muaj paraburgim për të dyshuarin E.V. i cili u arrestua të shtunën mbrëma në pikën kufitare në Bërnjak nën dyshimin për veprat penale “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal”.
Sipas Prokurorisë Speciale i dyshuari është arrestuar në kuadër të hetimeve të zgjeruara që lidhen me rastin e janarit 2025, kur autoritetet kishin zbuluar një laborator të specializuar për falsifikim dokumentesh.
E.V. dyshohet se nga një periudhë e pacaktuar e deri më 24 janar 2025, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vepruar si pjesë e një grupi të organizuar kriminal që ka prodhuar dhe shpërndarë dokumente të falsifikuara të rreth 50 shteteve të ndryshme të botës.