Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Një i “dënuar” nga historia që pret “amnisti” nga Serbia dhe opozita

Një i “dënuar” nga historia që pret “amnisti” nga Serbia dhe opozita

Shkruan: Afrim Kasolli

Ende asgjë të re nga draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Pos që ky dokument është pranuar nga Albin Kurti. Madje pas përfundimit të samitit të BE-së, një gjë të tillë e pat konfirmuar edhe kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz.

Mirëpo,  ky draft vazhdon të mbetet i fshehur para publikut nga Qeveria e Kosovës, me arsyetimin se këtë e kanë kërkuar emisarët ndërkombëtarë. Kështu, ndërmjet detyrimeve ndaj sovranit për t’i treguar se çka po mbivendoset në emër në tij dhe kërkesave diplomatike,  këto të fundit tashmë kanë marrë aureolën e supermacisë. Por, këtë draft nuk po e shpalos as opozita, edhe pse e ka parë, pavarësisht arsyetimit të saj se nuk i ka rënë në dorë. Opinioni vazhdon të jetë në terr informativ, prandaj spekulimet bëhen më se të natyrshme në këtë situatë.

 

Mirëpo, fakti se Albin Kurti po e mban në sirtarët e zyrës së tij këtë dokument, tregon më mirë se asgjë tjetër, që ai është i vetëdijshëm se çka pa pranuar. Ai e dinë se është pajtuar për autonominë e serbëve të Kosovë, pa fituar asgjë në këmbim. Se me dakordimin e tij, si për Marrëveshjen bazë të Brukselit, ashtu edhe atë të zbatimit të Ohrit, si dhe më draft-statutin e prezantuar nga përfaqësuesit e BE-së , po ashtu është pajtuar vetëm për njohjen “ndërkombëtare” të entitetit autonom serb më Kosovës, që është vetëm legalizim i pushtetit të Serbisë dhe asgjë më shumë. Se e ka varrosur thuajse krejt traditën e “rezistencës” politike kundër këtij projekti dhe është shndërruar në kurorëzues të saj. Po ashtu, në këtë mënyrë e ka tjetërsuar plotësisht mbështetjen masive popullore për të. Nga përkrahje për moszbatimin e këtij projekti ai e ka shndërruar në mjet për kalimin sa më të lehtë të tij. Një shpërdorim i pashembullt politik.

 

Albin Kurti për shkak të kësaj sjellje, sot i ngjan një të dënuari me “vdekje” “historike”, por që në çdo moment shpreson se mos intervenon “perandori” me anë të ndonjë një dekreti dhe e ndryshon këtë vendim duke e “amnistuar”, për t’ia falur “jetën” politike. Prandaj, ai sot tenton që të blejë sa më shumë kohë, që të ketë mundësi të kalërojë sa të mundet mbi majat olimpike të pushtetit e t’i kënaq kohë pas kohe pasionet e tij ideologjikë në brigjet helenike.

 

Për jetësuar këtë qëllim i pari i Qeverisë së Kosovës, po e ndjek një taktikë të dyfishtë. Para opinionit po shprehet se s’ka pranuar asgjë deri sa nuk nënshkruan edhe Serbia. Sepse nuk ka pajtim pa nënshkrim. Dhe kështu kalkulon se nga ky mos nënshkrim të ketë ndonjë përfitim, sidomos duke i bindur ndjekësit e tij se si Vuciqi nuk guxon të nënshkruajë me Albin Kurtin etj etj. Mirëpo, tashmë ia kanë bërë të qartë shumica e diplomateve ndërkombëtarë se ky driblim do të jetë i pa vlerë, sepse nënshkrimi ose jo i marrëveshjeve nuk ndikon në zbatimin e tyre.

 

Ndërkohë, deri sa të vjen dita e gjykimit final, ai po ashtu është duke ndjekur edhe një taktikë tjetër. Duke mos ia treguar opozitës draft-statutin e Asociacionit. Por duke lejuar që këtë detyrë ta kryejnë ndërkombëtarët. Sepse ai e dinë që këto parti me një lehtësi të padurueshme do t’u thonë po këtyre të fundit. Rrjedhimisht, shpreson se kjo temë do të kalojë pa zhurmë dhe në heshtje të plotë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Apo sikur kjo qeveri të kishte ardhur në pushtet vetëm për investime kapitale sikur ura Sardarnit, e jo për ta pamundësuar pikërisht zbatimin e kësaj Bashkësie. Dhe në fund askush të mos mbetet fajtor e të gjithë të jenë bashkëpërgjegjës.

 

Natyrisht, partitë opozitare pretendojnë se me qëndrimin e tyre butak do ta rifitojnë relevancën e humbur ndërkombëtarë, si dhe do të mund ta diskreditojnë të parin Qeverisë për braktisjen e kauzave të tij. Në fakt do të mund të ndodh e kundërta. Ngase me këtë sjellje ato po pajtohen  politikisht për ta përkrahur “Asociacionin kundër Zajdenicës”. Dhe në këtë mënyrë po e  korrigjojnë mëkatin e tyre, pasi e kishin nënshkruar një dokument që ishte në kundërshtim me kushtetutën në favor të një tjetri që tash është në pajtim me “frymën dhe germën e kushtetutës”. Të kërkojnë falje për këto shkarje historike dhe ta shpëtojnë Albin Kurtin nga vetërënia e tij politike.

/TV Arbëria  

Powered by WordPress