Shkruan: Afrim Kasolli- Që kur grupi i armatosur palestinez i Hamasit e sulmoi shtetin e Izraelit më 7 tetor, duke lënë pas më shumë se 1200 viktima dhe qindra të kidnapuar, nuk kanë munguar analizat dhe vështrimet për ta krahasuar këtë sulm terrorist me ngjarjen e largët të viteve ’70 të Luftës së Yom Kipurit.
Pra mënyra e organizimit, orkestrimit dhe kohës së zbatimit nuk ishte e rastësishme, por e projektuar në detaje. Sepse kjo ditë, shënon njërën nga festat më të rëndësishme në kalendarin e festimeve hebraike. Qëllimi i kësaj dite është “pajtimi mes njerëzve, individëve dhe Zotit”. Pra, konsiderohet si një ditë kur “Krijuesi vendos fatin e çdo qenieje njerëzore”.
Kështu, duke qenë se mbarë shoqëria e këtij shteti ndodhet në atmosferë festive, atëherë kalkulohet se sulmi mund të ekzekutohet në mënyrë më të befasishme, ashtu edhe siç kishte ndodhur në tetorin e vitit 1973, kur një koalicion i shteteve arabe, të prirë nga Egjipti dhe Siria e sulmuan tinëzisht shtetin e Izraelit.
Pikërisht, zhvillimet e asaj ngjarje dramatike i pasqyron filmi biografik “Golda”, i cili i dedikohet ish-kryeministres së shtetit të Izraelit, Golda Meir. Ky krijim kinematografik, me regji të Guy Nattiv, ku në rolin e kryeprotagonistes luan aktorja me famë botërore Hellen Mirren, fillon me detyrimin e Kryetares së Qeverisë së atij shteti, për t’iu nënshtruar një komisioni hetimor shtetëror për atë se çka nuk kishte shkuar si duhet në atë operacion mbrojtës.
E vërteta është se shërbimi inteligjent i Mossad arrin të siguroi informata sekrete, kryesisht Egjipti i drejtuar në atë kohë nga ish-Presidenti Anwar Sadat-it dhe Siria nën udhëheqjen Hafiz al-Assad-it, babai i kryetarit aktual të këtij shteti, Bashar al-Assad, ishin duke u bërë gati ta sulmonin këtë shtet.
Mirëpo, çuditërisht Golda Meir, i neglizhon këto kumte ogurzeza. Dhe nuk ndërmerr masa për mobilizim të përgjithshëm. Ndonëse ajo arsyetohet se është peng politik i ministrit të Mbrojtjes, Moshe Dayan, sepse ky fundit ishte i bindur se nuk ka asnjë rrezik nga paralajmërime të tilla. Madje nëse ai jep dorëheqjeje, atëherë bie edhe qeveria. Çfarë do ta komplikonte edhe me shumë situatën. Kurse, kur bëhet e qartë se sulmi është në derë të shtëpisë, ajo urdhëron vetëm një mobilizim të pjesshëm. Sepse një i tillë i plotë nuk do të pranohej nga publiku për shkak të festës së Yom Kipurit.
Sidoqoftë, në mes të këtyre dilemave dhe shqetësimeve për ruajtjen e koalicionit qeveritar dhe rrezikut ndaj sigurisë nacionale, fatkeqësisht lufta shpërthen. Dhe shteti i Izraelit ndodhet tmerrësisht i papërgatitur përballë këtij agresioni. Ditët e para të këtij sulmi shkojnë tmerrësisht keq për Forcat Mbrojtëse të Izraelit.
Në sfond të këtyre zhvillimeve sytë dhe shpresat e Golda Meir drejtohen drejt Washingonit, si i vetmi vend që mund t’i ofrojë siguri dhe mbështetje shtetit të Izraelit në ato ditë të rrezikut ekzistencial. Atëbotë, Sekretari i Shtetit ishte njëri nga eksponentët më të njohur të diplomacisë amerikane Henry Kissinger, i cili ishte me origjinë hebraike, e që ndërroi jetë para pak dite në moshën 100 vjeçare.
Mirëpo, si çdo herë në ngjarje të tilla, sigurimi i mbështetjes diplomatike, ushtarake dhe financiare amerikane, për këtë kauzë nuk mund të bëhej pa sfida. Kështu, në mes të përparimit të forcave siriane drejt Lartësive Golan, pushtimi i të cilave do ta bënte të prekshëm çdo cep të këtij shteti, dhe atyre egjiptiane që kishin kaluar Kanalin e Suezit, kjo mbështetje ishte e domosdoshme. Por, ajo kishte implikime tjera. Sepse do të vërehej menjëherë nga bota arabe, veçanërisht nga sauditët që ishin eksportuesit kryesor të naftës në SHBA.
Kështu, top-diplomati amerikan ndodhej ndërmjet dy qëllimeve kundërthënëse, një garantimit të sigurisë së Izraelit dhe dy mos lëndimit të raporteve më Presidentin e Egjiptit, me synim për ta penguar çdo afrim të Anwar Sadat-it me rusët, në ato vite kur Lufta e Ftohtë ishte në kulmin e saj.
Në këtë hapësirë të limituar diplomatike duhej kërkuar skenarët zgjidhje së krizës, fillimisht duke mos e lejuar një asnjë mënyrë përshkallëzimin e saj, por edhe për të penguar në çdo kusht që shtete si Bashkimi Sovjetik të përfitonin nga rrethanat dhe t’i cenonin balancat gjeopolitike në rajon.
Me këtë rast, deri sa në prapaskenë zhvilloheshin këto lëvizje politike, trupat izraelite nën drejtimin e ish- gjeneralit të ri, Ariel Sharon, i cili më vonë u bë edhe kryeministër i Izraelit, nëpërmjet disa rrugëve anësore e kalojnë kanalin e Suezit. Në mes të këtyre tensioneve, ku ushtria e Izraelit i humb rreth 500 tanke dhe një të tretën e forcave ajrore, mundësia e një fitore të shpejt bëhet gjithnjë e më zymtë. Përkundrazi, ajo e humbjes po bëhej gjithnjë e më reale.
Ndërkohë, nuk duhet harruar fatin se në atë kohë politika amerikane ishte përfshirë edhe nga vlimet e zjarrta për shkak të skandalit të “Watergat-it”, kundër ish-Presidentit Richard Nixon. Pra “Zonja e hekurt” gjithnjë e më shumë ndodhet në një situatë pa shtegdalje dhe e dëshpëruar në kërkim të fitores, paqes dhe detyrimit të Egjiptit për ta njohur një herë e përgjithmonë shtetin e Izraelit.
Në këtë kontekst, Henry Kissigner zhvillon një vizitë të papritur në Tel Aviv, duke e paraqitur planin e paqes, para Kryeministres Golda Meir. Fillimisht i ankohet se populli amerikan sot po paguan një barelë nafte nga 4 dollarë në 12, për shkak të mbështetjes ndaj atij izraelit. Prandaj, edhe nevojitet të pranohet plani i paqes. Por paralelisht me këto zhvillime, nga një kthesë e befasishme, trupat ushtarak nën drejtimin e Ariel Sharonit, fillojnë dhe korrin sukses. Dhe kështu armata e tretë e Egjiptit e përbërë nga 30.000 trupa, rrethohet për jetë a vdekje. E shkatërrimi i plotë i kësaj njësie ushtarake nuk është në interes të SHBA-ve, sepse ajo do të shënonte dhe fundin e Sadatit në pushtet dhe zëvendësimin e tij nga masat e zemëruara me një lider të vijës më të ashpër sovjetike.
Mirëpo, për shkak te avantazhit në terren, tash Kryeministrja Meir, nuk pranon asnjë negociatë pa lirimin e të burgosurve të luftës dhe detyrimin e A. Sadatit, t’i pranoi bisedimet e drejtpërdrejta me shtetin e izraelitët dhe jo me një “Entitet sionist”, siç e quante deri atë kohë. Diçka që siç thotë Henry Kinssiger do të ishte i barabartë me njohjen, dhe që lideri egjiptian nuk do ta pranonte kurrë, sepse bota arabe do të rikthehej kundër tij, për shkak të kësaj tradhtie.
Por, ajo i refuzon kalkulimet e administratës amerikane për rrezikun që mund të paraqesin për rendin gjeopolitik ndërkombëtar në atë rajon aksionet e saj. Ajo vendos ta çoi këtë betejë deri në fund. Dhe ashtu ndodh. Egjipti pajtohet me kushtet e paqes. Ndërkohë, Sadati i cili e filloi atë luftë për ta zhdukur përfundimisht shtetin e Izraelit, përfundoi në njohjen dhe pranimin e tij. Dhe që nga ajo kohë, këto dy shtete kanë raporte dhe marrëdhënie diplomatike dhe ndërshtetëror.
Në fund kuptohet se një pjesë e dështimit kishte ndodhur edhe për shkak se nuk ishte ndezur edhe sistemi i përgjimit, për çka inteligjenca ushtarake nuk i dëgjoi sinjalet për luftë. Ushtria u ndodh e pa përgatitur me rasatin e fillimit të sulmit. Për shkak të disa testeve teknike ai ishte fikur nga data 4 tetor deri më 6 tetor të ditës së shtunë. Por se sistemi i përgjimit nuk kishte punuar, e para e Qeverisë kërkon që të mbahet sekret, për çka edhe për dështimin fillestar të luftës ajo e merr përgjegjësin dhe fajin mbi vete.
Ishte kjo grua që e drejtoi një luftë nga dështimi fillestar në fitore përfundimtare, por edhe me një sens të jashtëzakonshëm, pavarësisht zemërimeve të brendshme, për t’i trajtuar me delikatese diplomatike armiqtë e jashtëm për hir të paqes, ashtu siç bëri me kryetarin e Egjiptit.
/TV Arbëria