Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Një Evropë pa energji s’do të bëhet kurrë superfuqi

Një Evropë pa energji s’do të bëhet kurrë superfuqi

Shkruan: Agron Hoti

Një shtet që është i varur nga importi i energjisë, sado i fortë ekonomikisht të jetë, nuk do të mund të bëhet kurrë superfuqi. Për shembull, Kina, Japonia, Gjermania, Turqia etj., maksimumi që mund të arrijnë është të jenë fuqi rajonale.
E njëjta gjë vlen edhe për Evropën si tërësi. Nga vitet 1973–1979, kur shpërtheu kriza e energjisë në Lindjen e Mesme, Evropa filloi ta zvogëlonte varësinë nga ajo zonë, duke u orientuar drejt Rusisë.
Viti 2022 ishte kulminacioni, kur Evropa, nga varësia energjetike ndaj Lindjes së Mesme, rrëshqiti në varësi energjetike nga Rusia. Aq e madhe ishte kjo varësi, sa Evropa kishte hartuar edhe projeksione strategjike zyrtare të përbashkëta me Rusinë deri në vitin 2050.
Pas agresionit rus, Evropa filloi të importojë energji nga SHBA-ja, Norvegjia, Azerbajxhani, Katari, Algjeria, Nigeria etj. Pra, kaloi nga një varësi në një tjetër.
Tre popuj të mëdhenj në botë gëzojnë pavarësi energjetike: amerikanët, arabët dhe rusët. Fati i shqiptarëve është se amerikanët janë superfuqia e vetme globale, ndërsa Rusia është në rënie. Arabët, të shpërndarë në shumë shtete, nuk mund ta projektojnë një superfuqi të vetme.
Shqiptarët po jetojnë në një periudhë të favorshme, sepse mbrohen nga SHBA-ja, e cila mbetet superfuqia e vetme dhe e pakontestueshme në glob. Shqipëria e lexoi drejt momentin dhe, sapo shpërtheu lufta në Ukrainë, i hapi të gjitha dyert bashkëpunimit me SHBA-në.
Ndërsa Kosova, e cila pas vitit 2019 ishte orientuar drejt projeksioneve të një Evrope që nga 2000-2021 që po rrëshqiste në varësi energjetike nga Rusia, nuk arriti ta kapitalizonte luftën në Ukrainë. Në vend që Kosova ta forconte pozitën e saj, përkundrazi, e dobësoi ndjeshëm atë duke refuzuar energjinë dhe projektet amerikane dhe duke rrëshqitur në varësi energjetike nga Serbia dhe Rusia. Lufta në Ukrainë nuk e kthjelli Kosovën, siç e kthjelli Evropën, e cila braktisi energjinë ruse. Prandaj, Kosova sot ka rrëshqitur në një paralizë të thellë, që po nxit largimin masiv të rinisë dhe të atyre pak profesionistëve që kanë mbetur në vend.
Në vend që Kosova, me rezervat e mëdha të thëngjillit që zotëron, të bashkëpunonte me amerikanët dhe të bëhej shteti i parë në Evropë me pavarësi të plotë energjetike, ajo, mjerisht, i refuzoi amerikanët dhe mbeti nën varësinë energjetike serbe e ruse. Nëse Evropa, si tërësi, nuk e ka mundësinë të pavarësohet plotësisht energjetikisht dhe, për rrjedhojë, nuk mund të bëhet superfuqi, Kosova e vogël e ka këtë mundësi pavarësimi energjetik, por, fatkeqësisht, nuk po e shfrytëzon.