Pas një reagimi që bëri dje duke thënë se nuk vendos se kush fiton e kush refuzohet në programin e granteve, ministri Peci sot ka bërë një video në një fermë të lopëve, e ku shpjegon atë që ai e quan “historinë e suksesit” të Ministrisë që drejton, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Peci tregon për subvencionet që janë dhënë në blegtori. Ai thotë se përmes dorës së shtetit fermerët kanë rritur efikasitetin në fermë dhe përmbushjes së standardeve të cilësisë së lartë.
“Ky është rrëfimi ynë i suksesit. Falë punës dhe angazhimit tonë të përbashkët, sektori i blegtorisë është më i fortë se asnjëherë më parë”, thotë Peci ndër të tjera në videon e publikuar.
Reagime të mëdha ka nxitur lajmi për ndarjen e një ganti në vlerë prej 100 mijë euro nga Ministria e Bujqësisë, saktësisht Agjencia për Zhvillim Bujqësor me përfitues Blerim Pacolli, vëllain e deputetes të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila është Kryetare e Komisionit për Bujqësi me emër të Projektit “Ndërtimi i stallës dhe lopë qumështore”.
Vetë Pacolli, vëllai i deputetes Fitore Pacolli ka pranuar se ka marrë grant nga Ministria e Bujqësisë. Ai thotë ka fituar grant në të cilin Ministria mbulon 65% shumës të projektit, apo 63 mijë euro, shkruan Reporteri.net.
“Unë kam fituar grant por nuk i kam fituar 100.000 euro siç po shkruhet nëpër portale. Kam aplikuar me projekt për shtallë për lopë qumshtore, vlera e të cilit arrinë në 100.000 euro. Ministria mbulon 65% shumës së projektit ndërsa unë me financat e mia mbuloj 35% të vlerës. Kush do që din pak matematikë të nivelit fillestar e kupton se vlera që Ministria mbulon projektin është 63.000 euro asnjë cent më shumë”, ka shkruar ai.
Përpos kësaj, javët e fundit mediat kanë raportuar raste të ndryshme kur persona të afërt me Pecin dhe partinë e tij janë rehatuar me punë të shtetit.