Shkruan: Afrim Kasolli
Shtetet kryesore të Bashkimit Evropian tashmë nuk kanë iluzione se fitorja e kandidatit republikan Donald Trump nuk do të ketë implikime ekonomike dhe gjeopolitike edhe për kontinentin e vjetër. Këtë ankth ato e manifestuan edhe në takimin e krerëve të Unionit në Budapest të Hungarisë.
Nëse herën e parë sjellja e tij në raport me disa shtete në Evropë, me theks të veçantë Gjermaninë, shprehur metaforikisht kishte “pamje komike”, tashmë rikthimi i tij mund të prodhojë “pasoja tragjike”. Ai i ka bërë të qartë preferencat e tij për të shpërfillur dhe neglizhuar lidhjet transatlantike dhe për t’u fokusuar më shumë tek raportet bilaterale me shtetet të veçanta.
Me këtë rast, ekziston frika se një NATO e lënduar dhe e paralizuar, do te jetë njëra nga pasojat e drejtpërdrejta të kësaj qasjeje, e cila prej se është krijuar ka pasur rol primar në garantimin e sigurisë kolektive në kontinent. Por edhe që nëpërmjet saj, SHBA-të e kishte ankoruar prezencën e saj Evropë. Baza ushtarake amerikane në Ramstein është simbol i kësaj koekzsitnece.
Mirëpo, ndër masat tjera që presidenti Trump ka paralajmëruar është lufta e tij tregtare si ndaj Kinës, me tarifa deri në 60 për qind, por duke mos përjashtuar as imponimin e tyre ndaj mallrave me orgjinë nga shtetet e BE-së, duke i bërë ato ta paguajnë një çmim të lartë për politiken, sipas tij, jo korrekte ndaj SHBA-ve, e cila është garantuese e sigurisë së tyre. Këtë sjelljeve të aleatëve ai e ka përkufizuar me anë të një shprehje që në gjuhën angleze quhet, “freeloader”, pra si dikush që përfiton avantazhe në kurriz të tjetrit pa e merituar. Ku këto të fundit janë fokusuar vetëm si të kenë përfitime për vete, por pa e qarë kokën se kush ua siguron shpinën.
Ndërkohë, vetë presidenti Trump fitoren e tij e quajti si shprehje të një lëvizje masive në elektoratin amerikan të paparë ndonjë herë. Dhe në këtë drejtim ai ka drejtë. Sepse ky rezultat paraqet edhe një lloj “revolte” të brendshme qytetare ndaj vetë botës që Amerika e ka krijuar, por që tashme ka ngjallur zemërim dhe frustrim kolektiv, sepse është krijuar përshtypja se ajo i është kthyer në bumerang, veçanërisht në aspektin ekonomik. Pra sipas disponimit të brendshëm, ky shtet është ngarkuar në mënyrë të padrejtë për ta mirëmbajtur atë rend nga i cili kanë përfituar me shumë të tjerët.
Prandaj, suksesi i Donald Trumpit nuk shënon vetëm një humbje elektorale të Partisë Demokratike, por edhe të modelit tradicional të Partisë Republikane. Sepse përkushtimi ndaj Evropës dhe ruajtja e raporteve specifike veçanërisht me Gjermaninë dhe Britaninë, kanë qenë qëndrim strategjik edhe i kësaj partie pas Luftës së Dytë Botërore. Mirëpo, nëse në vitin 2016 ai për të ardhur në pushtet e kishte shfrytëzuar në masë të madhe infrastrukturën politike republikane, çfarë edhe kufizonte atë për t’i shtyer përpara agjendat e tij, ai sot është në një pozitë shumë më të favorshme dhe të fuqishme. Për më shumë tashmë këtë rezultat mund ta konsiderojë edhe si fakt “proivdencial” për kauzën e tij të drejtë.
Atëherë si do të reagonin disa nga shtetet evropiane pas presionit amerikan për t’i vendosur sidomos tarifa mallrave kineze, por edhe të cilat po ashtu do të përballen edhe vet me tarifat amerikane? Dhe në këtë drejtim padyshim se ekonomia me fuqishme në kontinent, Gjermania do të gjendej në një situate pa shtegdalje edhe ashtu në krizë. Por jo vetëm kjo.
Politika zyrtare mbase mund të pajtohet përkohësisht me këto rregulla, mirëpo nuk do të thotë se ajo nuk do të prodhonte zhvendosje më të madhe tektonike në elektoratin e këtyre shteteve. Edhe ashtu autoriteti publik i partive të qendrës po gërryhet dita ditës nga presioni i partive të ekstremit të djathtë. Ndërkohë, këto të fundit, po ashtu nuk është se kanë simpati për aleancën me Amerikën. Kanë qëndrim antipatik ndaj NATO-së. Dhe preferenca politike për lidhje më te ngushta me Rusinë. Kurse impakti i tyre po shtohet dita ditës. Zgjedhjet në disa lande në Gjermani, në Francë si dhe së voni në Austri, janë dëshmi e qartë e kësaj tendence politike. E, këto formacione e kanë bërë të qartë synimin e tyre gjeopolitik euro-aziatik për ta ndërtuar një partneritet më të ngushtë ekonomik dhe politik me Rusinë dhe Kinën si kundërpeshë ndaj hegjemonisë amerikane. Ky objektiv gjendet edhe i brendashkruar në manifestin ideologjik të AfD (Alternativës për Gjermaninë)
Kështu, si pasojë e frustrimit në rritje të elektoratit evropian për shkak të vështirësive ekonomike, është lehtësisht e mundur që këto forca nesër të vijnë në pushtet edhe të angazhohen për t’i realizuar synimet e tyre veçanërisht gjeokonomike për një “treg të lirë të përbashkët” me Rusinë dhe Kinën, si mjet për të shpëtuar nga proteksionizmi amerikan. Atëherë, BRICS-i do të shndërrohej në organizatën më të fuqishme ekonomike në botë. Kurse, Amerika do ta gjente vetën të izoluar nga ky bllok. Ky skenar ogurzi nuk do të thotë se mund të bëhet realitet. Por nuk ka asnjë sferë më shumë se politika ku pasojat mund te jenë të ndryshme nga qëllimet fillestare. Kështu, presidenti Trump, nga dëshira për t’i larguar sa më shumë shtetet evropiane nga afërsia me Kinën dhe Rusinë, në mënyrë të pavullnetshme mund të ndikojë që ato të afrohen edhe më tej ndërmjet vete. /TV Arbëria