Grupi për Studime Juridike dhe Politike tha se fenomeni i korrupsionit në Kosovë vazhdon te mbetet shqetësues.
Kjo deklaratë u tha në tryezën e diskutimit me temën “Si i trajtuan gjykatat rastet e korrupsionit gjatë vitit 2024?”.
Në këtë tryezë u theksua se niveli i korrupsionit vazhdon të jetë mjaft shqetësues për Kosovën.
Drejtoresha ekzekutive Arbëresha Loxha Stublla tha se gjyqësori vazhdon të mos i trajtojë me seriozitet rastet e korrupsionit të nivelit të lartë.
“Ne kemi gjetur se korrupsioni vazhdon që të mbetet fenomen që është shqetësues për Kosovën, e të njëjtën e theksojnë edhe shume raporte ndërkombëtare të tjera dhe vendore. Gjyqësori në Kosovë vazhdon që të mos trajtojë me seriozitet të lartë rastet e korrupsionit të profilit të lartë i cili si rezultat i bënë zyrtarë publikë, e sidomos zyrtarët e lartë të pa prekshëm e të pa dënueshëm denjësisht nga sistemi gjyqësor i Kosovës. Ne kemi gjetur edhe këtë vit që rastet e korrupsionit të profilit të lartë janë stërzgjatur, seancat kanë vazhduar të dështojnë, të anulohen duke penguar efikasitetin e gjyqësorit për të zgjidhur këto raste me interes të lartë publik. Ky dështim minon besimin e qytetarëve të Kosovës karshi institucioneve të sistemit të drejtësisë”, tha ajo.
Ndërkaq, Nicola Scaramuzzo, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë (TBC), theksoi rëndësinë e përfshirjes së organizatave të shoqërisë civile në monitorimin e sundimit të ligjit.
“Shoqëria civile, pse është e rëndësishme që organizatat vendore, organizatat e shoqërisë civile të bëjnë këtë lloj aktivitetesh, sepse organizatat e shoqërisë civile, gjithashtu nga pikëpamja e Bashkimit Evropian u mundësojnë qytetarëve të marrin pjesë aktive në vendosjen e agjendës politike dhe një shoqëri civile e gjallë kontribuon në përmbushjen e kushteve për anëtarësimin në BE. Në vitin 2022 kishte një raport nga Gjykata e Auditorëve e Bashkimit Evropian që shqyrtoi projektet e zbatuara në fushën e sundimit të ligjit. Një nga rekomandimet e Gjykatës së Auditorëve e Bashkimit Evropian ishte që Komisioni Evropian duhet të intensifikojë punën me organizatat e shoqërisë civile në fushën e sundimit të ligjit për të mundësuar organizatat e shoqërisë civile që të zhvillojnë, po e citoj nga raporti, mjete të personalizuara për të monitoruar se si evoluon korrupsioni përmes indikatorëve të veçantë, Pra, për këtë arsye, raporti që po prezantohet sot është shumë i rëndësishëm. Prezantimi i monitoruesve të proceseve gjyqësore në fushën e korrupsionit të rëndë dhe krimit të organizuar është një nga angazhimet që janë marrë gjithashtu si rezultat i Samitit të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor në Sofje në vitin 2018”, tha ai.
Menaxherja e këtij projekti Dea Stublla, gjatë prezantimit të projektit tha se kanë monitoruar seancat e profilit të lart..
“Monitoruesit tanë kanë qenë çdo ditë në këto gjykata dhe kanë shikuar për rastet që kanë qenë duke ndodhur duke ju jep prioritet rasteve të profilit të lartë të korrupsionit. Nëse kanë qenë disa seanca duke ndodhur ne kemi vazhduar t’i monitorojmë ato të profilit të lartë”, tha ajo./kp