Një çift që kishte nisur një mision për të lundruar përtej Oqeanit Atlantik është gjetur i vdekur në një varkë në brigjet e Kanadasë.
Bëhet e ditur se Brett Clibbery dhe Sarah Packwood u gjetën të vdekur në breg të ishullit Sable, rreth 173 kilometra në juglindje të provincës Nova Scotia.
Besohet se Packwood ishte nga Britania e Madhe dhe Clibbery ishte nga Kanadaja, megjithëse Policia Mbretërore Kanadeze fillimisht raportoi se ata ishin të dy nga British Columbia.
Por, identifikimi zyrtar nuk është bërë ende, shkruan skynews.
Siç raportohet, dyshja po shkonte në rajonin e Azores – një rajon autonom i Portugalisë – pasi u larguan nga porti Halifax më 11 qershor nga bordi i jahtit të tyre të quajtur Theros.
Ata u raportuan të zhdukur më 18 qershor dhe u gjetën tre javë më vonë, më 10 korrik.
Se dyshja kanë vdekur e ka konfirmuar edhe djali i Clibery, James, me anë të një postimi në Facebook.
“Ditët e fundit kanë qenë shumë të vështira”, ka shkruar ai.
“Babai im James Brett Clibery dhe gruaja e tij, Sarah Justine Packwood, kanë ndërruar jetë. Hetimet ende po vazhdojnë, si dhe duhet një test ADN-je për ta konfirmuar, por shpresat janë të pakta”, shtoi ai.
Ai tha se çifti do t’i mungojë përgjithmonë, duke shtuar: “Nuk ka asgjë që do të mbushë vrimën që është lënë nga kalimi i tyre, deri tani i pashpjeguar”.
Duke dokumentuar udhëtimin e tyre nga Kanadaja në Evropë, Packwood dhe Clibery kishin publikuar video të rregullta në një kanal në YouTube të quajtur Theros Adventures.