Ka nisur të mbahet takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar si dhe këshilltarët e lartë të liderëve të Gjermanisë, Francës, Italisë.
Pesëshja diplomatike vjen në Kosovë gati një muaj pas agresionit të Serbisë në Kosovë, pra pas sulmit terrorist që ndodhi në Banjskë të Zveçanit, teksa kryeministri i vendit, Albin Kurti, dje deklaroi se për kërkesat dhe ofertat e tyre do të merret vesh të shtunën.
Telegrafi merr vesh se emisarët për dialogun Kosovë-Serbi pritet të sjellin edhe draft-statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të përgatitur prej tyre.
“Bazë e këtij drafti është edhe Pakoja e Ahtisaarit”, tha ky burim.
Siç shkruan Telegrafi kjo përputhet me një bisedë që përfaqësuesi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka pasur gjatë shtatorit me disa ministra të punëve të jashtme (përfshirë te Shqipërisë dhe Maqedonisë) në Santander të Spanjës.
E Kurti të premten ka deklaruar se nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë dhe pa u ndëshkuar Serbia.
Këto komente ai i ka bërë gjatë një ngjarjeje në Shtime, pasi është pyetur se çfarë pritet të kërkohet nga Kosova gjatë vizitës së pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë.
/TV Arbëria