Blog Post

Arbëria TV > Bota > Nis hetim ndaj platformës “X” për keqinformimet që shkaktuan trazira në Britani

Nis hetim ndaj platformës “X” për keqinformimet që shkaktuan trazira në Britani

Një hetim i Komisionit Evropian ndaj platformës X, i hapur në bazë të Aktit për Shërbimet Digjitale, mund ta mbajë rrjetin përgjegjës për trazirat në Britani. Procedimi i Komisionit, i nisur në dhjetor të 2023-shit ishte i pari që u bë në kuadër të Aktit të ri, që përmban rregullat e BE për platformat online.

“Akti për Shërbimet Digjitale aplikohet vetëm në BE dhe ka qenë i suksesshëm në të tilla raste, si në atë të trazirave që ndodhën në Irlandë fundvitin e kaluar. E njëjta gjë vlen edhe për situatën aktuale në Britani. Por nuk mund të tregohemi naivë pasi mund të ketë pasoja për BE-në. Jemi të vetëdijshëm për këtë, prandaj dhe po e ndjekim situatën në bashkëpunim me palën britanike dhe po shohim reagimin e rrjetit X”,-tha Thomas Regnier, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Që kur sulmi me thikë shkaktoi vdekjen e tre vajzave të mitura në një shkollë baleti më 30 korrik, një seri protestash të dhunshme janë përhapur në mbarë vendin.

Rrjeti X u përdor si një mjet për të përhapur keqinformimin mbi ngjarjen në Southport. Që prej atëherë, ai është përdorur nga pronari Elon Musk për të kritikuar kryeministrin britanik dhe për të nxitur retorikën.

“Këto incidente që kanë ndodhur në Britani dhe përgjigjja e rrjetit X ndaj tyre mund të merren parasysh gjatë procedimit aktual që kemi hapur ndaj platformës, në aspektin e keqinformimit dhe përmbajtjeve të paligjshme. Dhe kjo do të jetë në të njëjtën linjë me atë që ka ndodhur në të kaluarën”,-tha Thomas Regnier, zëdhënës i Komisionit Evropian.

Nëse nga hetimet zbulohet një shkelje dhe nëse rrjeti social dështon të marrë masa korrigjuese rrezikon të ndëshkohet me 6 për qind të fitimeve globale të tij./euronews.al