Artan Nimani, nga Nisma Socialdemokrate, ka vlerësuar se oferta e bërë nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pak minuta para fillimit të seancës për formimin e qeverisë, ka qenë e pasinqertë.
Nimani ka thënë se Kurti kishte pretenduar të arrinte një marrëveshje me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj, në minutat e fundit, ndërkohë që, sipas tij, nga momenti i zgjedhjes së Dimal Bashës në postin e kryetarit të Kuvendit, ai nuk ka pasur asnjë kontakt me Limajn.
I pyetur nëse mund të ketë një tentativë të dytë për bashkëpunim mes Nismës Socialdemokrate dhe Lëvizjes Vetëvendosje, Nimani e ka mohuar një mundësi të tillë.
“Jo, nuk mund të ketë. Unë besoj se kjo punë ka përfunduar sa i përket një bashkëpunimi mes Nismës dhe VV-së. Qëndrimi zyrtar i Nismës ka qenë dhe mbetet në fuqi për postin e kryeparlamentarit. Por, aq shumë ka ecur procesi sa mendoj që çdo kthim pas nuk ia vlen. Efekti përfundimtar është i njohur dhe nuk ndryshon,” ka theksuar Nimani.