Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Nikola Sandulovici në gjendje të keqe shëndetësore, familja thotë se u rrah nga BIA dhe Radojçiqi

Nikola Sandulovici në gjendje të keqe shëndetësore, familja thotë se u rrah nga BIA dhe Radojçiqi

Vazhdon drama me Nikola Sandulovicin, politikanin opozitar serb, i njohur për publikun e Kosovës për homazhet e tij te varri i Adem Jasharit në Prekaz dhe kërkim-faljen në emër të serbëve për krimet e luftës.

Mbrëmë, atij i është bastisur shtëpia. Nuk i është gjetur asgjë, por prokurori ka dhënë urdhër që ai të dërgohet në paraburgim për 48 orë.

Gruaja e tij ka dërguar një video, ku shihet si ai në gjendje të rëndë shëndetësore, po dërgohet sot në mëngjes nga spitali për në Burgun Qendror.

Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, arsyeja ishte një postim i tij në X duke bërë homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke theksuar faktin se ai është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.

Familjarët e kryetarit të Partisë Republikane Serbe, Nikola Sandulovic, kanë thënë se ai është rrahur brutalisht nga policia sekret serbe, në godinën e BIA-s. Në mesin e personave, të maskuar, që e kanë rrahur, Sandulovic ka thënë se e ka njohur Milan Radojçiqin, ish-politikanin serb nga veriu i Kosovës, organizator i sulmit terrorist të 23 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.

/TV Arbëria