Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Ngjashmëritë e mentaliteti biznesor të Art Motion me shfaqjen në Këshill të Sigurimit

Ngjashmëritë e mentaliteti biznesor të Art Motion me shfaqjen në Këshill të Sigurimit

Shkruan Afrim Kasolli

Shumë kush mund të më kritikojë për krahasimin ndërmjet shfaqjes së Kryeministrit Kurti, në Këshill të Sigurimit me strategjitë e një kompanie vendore biznesore për përftim të klientelës ekonomike. Ngase këto dy gjëra kanë të bëjnë me realitete krejt të ndryshme ndërmjet vete. Njëri është i lidhur ekskluzivisht me motive ekonomike dhe tjetri me çështje politike në mbrojte të interesave shtetërore.

Mirëpo, poenta ime e krahasimit është tjetër kund. Tek metodat identike që janë përdorur si në rastin e parë për përftim të klientelës ekonomike dhe në të dytin për të shfrytëzuar sentimetnet publike për shtim të kapitalit politik. Ngjashmëritë kanë të bëjnë më mënyrë se si disa kompani kosovare, në mesin e tyre edhe kjo që është përmendur në titullin e shkrimit i kishin joshur qytetarët e Kosovës me anë të reklamave për një skemë të pasur programore, por të cilën e ndryshuan në fillim të këtij viti. Ndërkohë, në kontratë figuronte një nen që kjo skemë mund të ndryshojë, por që shumë nga ata që e kishin nënshkruar atë e kishin neglizhuar nga entuziazmi i ofertës së reklamave.

Kjo logjikë thuajse e ka karakterizuar edhe ngjarjen e ballafaqimit të Kryeministrit Kurti në Këshill të Sigurimit me presidentin e serbisë Alekandër Vuciq,  dhe denoncimin e gjenocidit që shteti i Serbisë kishte bërë gjatë luftës së fundit në Kosovë, ndaj popullsisë civile shqiptare. Dhe ky fjalim në këtë organ të lartë të Kombeve të Bashkuara pashmangshëm se u mirëprit masivisht nga opinionin publik, duke e shtuar tej mase popullaritetin e Kryeministrit Kurti. Mirëpo, në anën tjetër, përkundër këtij ligjërimi verbal  dhe retorike të momentit ai ishte pajtuar për diçka krejt tjetër në tekstin e Marrëveshjes bazike të Brukselit dhe atë të Ohrit, ku shkruante qartë se dy vendet angazhohen për “tejkalimin e trashëgimisë së të kaluarës”.

E, kontradikta të tilla e shpalosin edhe njërin nga paradokset kryesore të shoqërisë sonë, ku ndoshta për shkak të mungesës së gjatë të shtetit, kulturës administrative, juridike dhe kontraktuake ende bazohet më shumë në atë që thuhet, reklamohet dhe propagandohet sesa në atë që qëndron e brendashkruar në normat ligjore.

Dhe kjo është arsyeja që shumë njerëz ranë pre e reklamave të jashtme të këtyre kompanive duke i shpërfillur normat juridike kontraktuale si dhe në rastin e shfaqjes në Këshillin e Sigurimit që u solidarizuan me atë fjalim, përkundër faktit se ai qëndron në kontradiktë me zotimet e shkruara juridike të Kryeministrit Kurti për normalizim të marrëdhënieve më serbinë.

 

 

Themes by WordPress