Në Kuvendin e Kosovës tash e sa muaj është krijuar një kaos i vërtetë, në zhargonin popullor do të thuhej “nuk po dihet se sa po shkon pasuli”.
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeparlamentaren e Kuvendit të Kosovës Albulena Haxhiu, nuk është përkrahur nga subjektet tjera politike.
Lëvizja Vetëvendosje insiston edhe përmes votimit të fshehtë, e që po ashtu është refuzuar nga palët tjera, PDK, LDK, AAK.
Biles kjo mënyrë e rendit të ditës është dërguar në Kushtetuese. Vendimi i kësaj të fundit ka qenë që, pavarësisht rrethanave, duhet që brenda 30 ditëve Kuvendi i Kosovës të konstituohet.
Për disa parti mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodh pas afatit të Kushtetueses nëse nuk ka konstituim të Kuvendit.
Për të folur më detajisht mbi vendimin e Kushtetueses dhe gjendjes në Kuvendin e Kosovës, në një prononcim për TV Arbëria, juristi Ardian Bajraktari ka thënë se mungon vullneti politik për gjetjen e një marrëveshjeje për daljen nga ngërçi politik.
Sipas Bajraktarit duhet dispozitivi i aktgjykimit, si dhe të qartësohet se çfarë do të ndodh pas 30-ditëshit të Gjykatës Kushtetuese.
“Situata në Kuvend është refleksion i mungesës së vullnetit politik në përgjithësi, e subjektit politik me numër më të madh të deputetëve në veçanti.
Situata është për keqardhje, me pasoja për vendin në shumë fusha.
Është e rëndësishme që Gjykata tashmë ka vendosur një standard të ri, se seanca e konstituimit të Kuvendit (konsitutive) duhet të bëhet brenda afatit prej 30 ditësh nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, ndërsa në rastin aktual 30 ditëve nga publikimi i aktgjykimit. Deri tek një vendim i tillë, Gjykata ka ardhur duke e interpretuar nenin 66, paragrafi 1 të Kushtetutës.
Megjithatë, duhet dispozitivi i aktgjykimit, i cili njëkohësisht edhe është element detyrues për zbatim, të ishte më i qartë, si për sa i takon mënyrës së votimit dhe se a mundet të ndryshohet një gjë e tillë gjatë procesit, e po ashtu të saktësohet se çka ndodh në rast se Kuvendi nuk konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh. Megjithatë, nuk ka ndonjë sqarim apo se çka në fakt ndodh pas kalimit të këtij afati, ndonëse zgjedhjet e reja janë përjashtuar si alternativë.”, kështu ka potencuar avokati Bajraktari.
Ai tutje thotë se ky vendim i Kushtetueses ka treguar qartë se si të procesohet votimi në Kuvend për konstituim.
“Po ashtu vlen të theksohet se në pjesën narrative/arsyetuese të aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë mjaftueshëm argumente se si të procedohet me seancën konstituive, duke e theksuar qartë se kjo seancë dallon nga seancat e rregullta dhe se procesi, përfshirë votimin, duhet të bëhet sipas rendit të ditës të përcaktuar strikt në rregullore, i vendosur më 8 prill, si dhe bazuar në praktikën e deritanishme parlamentare.
Qartësimin veçmas të veprimeve pas publikimit të aktgjykimit, besoj se do ta bëjë Gjykata lidhur me rastet të cilat tashmë i janë adresuar nga ana e dy subjekteve politike.”, ka thënë Bajraktari. /TV Arbëria