Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > Nga Skënderbeu te UÇK-ja: Heronjtë nuk duhen harruar

Nga Skënderbeu te UÇK-ja: Heronjtë nuk duhen harruar

Shkruan: Bahri Beqiri

Historia e kombeve është e mbushur me heronj që ngritën zërin dhe armën për liri, por që më pas u lanë të vetëm nga populli i tyre. Ky është një mësim i hidhur që nuk duhet ta përsërisim.

Çka na mëson historia?

Marin Barleti, në librin për jetën e Skënderbeut, sjell një moment të dhimbshëm: disa princër shqiptarë e tradhtuan dhe, kur u pyetën pse, njëri prej tyre u përgjigj:
– “Luftërat e tij me armikun na prishnin tregtinë dhe na shqetësonin qetësinë.”

Shekuj më pas, në Egjipt, komandanti Mohamed Karimi u tradhtua nga bashkatdhetarët për të cilët kishte luftuar. Napoleon Bonaparti e dënoi me këto fjalë therëse:
– “Nuk të vras pse luftove kundër nesh, por pse u flijove për një popull frikacak, që tregtinë e do më shumë se lirinë.”

Po kështu, Jeanne d’Arc, e njohur si Virgjëresha e Orléans-it, u la e vetme nga mbreti dhe fisnikët e Francës. Në kronikat e Rouen shkruhet se, ndërsa digjej në flakë, ajo thirri tri herë emrin e Krishtit. Populli që e kishte ngritur në piedestal, nuk bëri asgjë për ta shpëtuar.

Dhe sot, në Kosovë, historia përsëritet. Djemtë dhe vajzat e UÇK-së, që guxuan kur askush nuk guxonte, që dhanë gjakun dhe jetën për lirinë, mbahen padrejtësisht në Hagë. Jo pse bënë krim, por pse sollën mrekullinë më të madhe të kombit – lirinë e Kosovës.

Përgjegjësia jonë sot!

Nga Skënderbeu te Karimi, nga Jeanne d’Arc te UÇK-ja, mësimi është i qartë: një komb që harron heronjtë e vet, tradhton vetveten.

Sot kush hesht, kush sheh e nuk flet, kush pranon padrejtësinë ndaj tyre – po tradhton gjakun që solli këtë liri.

UÇK nuk ishte një ushtri e zakonshme – ishte zemra e kombit.
Ata që sot mbahen në Hagë nuk janë të pandehur, por dëshmitarë të gjallë se Kosova nuk u fitua me fjalë, por me gjak.

Mos i harroni, mos i lini vetëm. Sepse nëse heshtim sot, nesër historia do të na gjykojë të gjithëve si frikacakë që deshën më shumë tregtinë e rehatinë se lirinë.

Kosova është e lirë sepse ata guxuan!