Shkruan: Nikollë D. Ukaj
Në një fshat të vogël e të qetë të Kosovës, në Stubllën e Epërme, më 3 maj 1999 lindi një vajzë që do ta kthente pasionin e saj të thjeshtë për topin në një histori frymëzimi. Ajo quhet Modesta Uka – futbollistja që luan për klubin Austria Wien (Women) dhe për Kosovo women’s national football team, duke përfaqësuar me krenari vendin e saj në arenën ndërkombëtare.
Por historia e saj nuk fillon në stadiume të mëdha.
Fillon në rrugicat e fshatit.
Kushdo që e njej Modestën e kujton me një top në këmbë. Pasditeve, kur fëmijët mbushnin rrugët e fshatit për të luajtur, ajo ishte gjithmonë aty. Topi rrotullohej në asfaltin e rrugëve të ngushta, në hapësirat pranë shtëpive e dyqaneve, në fushën e Kishës ku organizoheshin turnire të vogla, por me pasion të madh. Për ne ato nuk ishin thjesht lojëra – ishin beteja të vogla sportive, ku secili donte të fitonte.
Dhe mes tyre ishte edhe Modesta.
Në shkollë, gjatë orëve të edukatës fizike, në fushën e shkollës, ajo dallohej menjëherë. Driblimet e saj shpesh i lakmonin edhe djemtë. Ishte e shpejtë, e guximshme dhe mbi të gjitha – e dashuruar me lojën.
Në atë kohë, në kulturën shqiptare të shumë vendeve, futbolli shihej më shumë si një lojë për djemtë. Nuk ishte gjithmonë e lehtë për një vajzë të luante me top çdo ditë. Por Modesta bëri përjashtim. Ajo nuk u ndal. Dhe ajo që është edhe më e bukura në këtë histori është se njerëzit e fshatit nuk e përqeshën. Përkundrazi – ia panë talentin, ia vlerësuan aftësinë dhe e komplimentuan.
Kjo e bëri Modestën të vazhdonte.
Ndoshta në atë kohë ajo nuk ëndërronte stadiume të mëdha apo ndeshje ndërkombëtare. Ndoshta thjesht donte të luante. Të vraponte pas topit. Të ndiente gëzimin e lojës.
Por shpesh ndodh që pasioni ndërton ëndrra – edhe kur ato nuk janë formuluar si qëllime të mëdha.
Dhe kështu ndodhi.
Vitet kaluan dhe vajza që luante në rrugët e Stubllës u bë futbolliste profesioniste. Sot ajo luan në Evropë dhe mban fanellën e Kosovës. Në ndeshjen e fundit të kualifikimeve, ajo shënoi një gol fantastik – një gol që mbushi me krenari jo vetëm familjen e saj, por edhe gjithë Stubllën.
Sepse ai nuk ishte vetëm një gol.
Ishte një moment që tregonte se një vajzë nga një fshat i vogël mund të arrijë në stadiumet më të mëdha të Evropës. Ishte një moment që dëshmonte se pasioni i një fëmije që luante në rrugë mund të shndërrohet në sukses.
Modesta shënoi gol.
Dhe bashkë me të festoi familja e saj.
Festoi Stublla – fshati që kurrë nuk ia mohoi hapësirën për të luajtur, për të dashur futbollin dhe për të ëndërruar.
Por ndoshta goli i saj më i madh nuk është vetëm në fushë.
Ai është mesazhi që ajo u jep vajzave të reja:
Dilni jashtë. Luani. Argëtohuni. Zhvilloni pasione. Mos kini frikë të ndiqni ëndrrat tuaja.
Sepse Modesta shënoi gol edhe sepse dikur kishte thyer stereotipet.
Shënoi gol sepse dikur nuk ishte ndjerë e gjykuar për të luajtur me top.
Shënoi gol sepse një fshat i vogël besoi te një vajzë që thjesht donte të luante.
Sot ajo është frymëzim për shumë vajza në Stubëll dhe në çdo cep të Kosovës – për të gjitha ato që do të guxojnë të ndjekin pasionin e tyre.
Faleminderit, Modesta.
Dhe shpresojmë të të shohim duke shënuar edhe shumë gola të tjerë – për klubin, për Kosovën dhe për ëndrrat e shumë vajzave që do të ndjekin rrugën tënde. 
