Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Nga Presidenca sqarojnë pse u caktua 9 shkurti, paralajmërojnë ftesë të re për partitë

Nga Presidenca sqarojnë pse u caktua 9 shkurti, paralajmërojnë ftesë të re për partitë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi më herët se ka caktuar datën 9 shkurt për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare.

Zëdhënësi i Presidencës, Bekim Kupina, përmes një shkrimi në Facebook ka shkruar se kjo datë është caktuar pasi Presidentja shqyrtoi me kujdes rrethanat dhe çështjet që duhen marrë parasysh.

“Ashtu siç e parasheh ligji, Presidentja ka mbajtur konsultime me të gjitha partitë politike të përfaqësuara në Kuvend dhe ka marrë propozime të ndryshme, që variojnë nga 26 janari e 2 shkurti deri te 9 e 16 shkurti 2025. Lidhur me datën e zgjedhjeve, Presidentja ka pasur diskutime edhe me Kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka paraqitur disa aspekte teknike dhe logjistike, të cilat sipas KQZ-së, do të duhej të shqyrtoheshin para nënshkrimit të këtij dekreti” ka thënë Kupina në sqarimin e tij.

Ai shtoi se pas shqyrtimit të të gjitha qëndrimeve, 9 shkurti 2025 u zgjodh si një datë optimale që balancon preferencat e të gjitha palëve të përfshira.

E sa i përket fushatës zgjedhore, Kupina thotë se është vlerësuar që e njëjta mund të fillojë nga 7 janari, pas përfundimit të disa festave kalendarike.

Po ashtu, Kupina paralajmëroi se presidentja Osmani së shpejti do t’i ftojë të gjitha partitë politike që të nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta.

“Presidentja, së shpejti, do t`i ftojë të gjitha partitë politike që ta nënshkruajnë një listë zotimesh të përbashkëta, me të cilat shprehet përkushtimi i tyre për t`i ruajtur standardet më të larta në këtë proces zgjedhor”.

Powered by WordPress