Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Nga pasaporta tek simbolet, si do të funksionojë ‘shteti Bektashi’ – Samarxhi zbulon detajet

Nga pasaporta tek simbolet, si do të funksionojë ‘shteti Bektashi’ – Samarxhi zbulon detajet

Gazetari i njohur Ferdinant Samarxhi ka zbuluar detaje interesante në lidhje me mundësinë e krijimit të një “minishteti bektashian” në Shqipëri.

Në “Top Story”, Samarxhi foli për mënyrën se si mund të funksionojë një shtet i tillë, duke e krahasuar atë me Shtetin e Vatikanit.

“Ky do të jetë një minishtet, si Shteti i Vatikanit, ku do të ketë pasaportën e vet, simbolin e vet, himnin e bektashianëve. Do të ketë simbolet që kërkon një shtet,” tha Samarxhi.

Ai vuri në dukje se Kryegjyshata Bektashiane tashmë ka struktura të organizuara, duke e bërë atë një minishtet në natyrën e tij.

“Besimet e tjera kanë kryeqendrat e tyre që janë të lidhura, ndërsa bektashinjtë nuk e kanë këtë. Fati ynë historik që të jemi në Shqipëri na ka bërë qendër botërore me status ndërkombëtar,” shtoi ai.

Samarxhi theksoi se Kryegjyshi Botëror Bektashian ka kërkuar prej kohësh ndërtimin e një shteti të tillë.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama është ai që po diskuton këtë mundësi dhe beson se Rama do ta arrijë këtë qëllim.

“Kjo është kërkesa e atëhershme e Kryegjyshit Botëror, dhe kjo po diskutohet nga Rama. Patjetër që do të realizohet,” deklaroi gazetari.

Përveç kësaj, Samarxhi kritikoi procesin e regjistrimit të besimit fetar gjatë censusit të fundit, duke thënë se ai nuk ishte i saktë dhe nuk pasqyronte numrin real të besimtarëve bektashianë.

“Pyetja për besimin nuk ishte e legjitimuar gjatë censusit. Numrat janë të pasaktë, pasi shumë nuk u interesuan të deklarojnë besimin e tyre. Bektashinjtë dhe ortodoksët kanë marrë vetë iniciativën për të regjistruar besimtarët e tyre, dhe numri i tyre është shumë më i madh sesa 5% që është raportuar,” shpjegoi ai.

Samarxhi beson se prania e bektashianëve në Shqipëri është në rritje dhe se krijimi i një minishteti do të jetë një hap i rëndësishëm për njohjen e statusit të tyre ndërkombëtar.

“Kjo qendër e madhe botërore ka pasur dhe do të ketë statusin e saj botëror,” theksoi ai.

Kërkesa për një shtet bektashian nuk është e re, por me diskutimet aktuale, duket se është afruar një hap më afër realizimit të saj.