Shkruan: Afrim Kasolli
Një sërë qytetesh janë duke rënë dita ditës në dorë të forcave kryengritëse në Siri. Pas Alepos, i cili është edhe qyteti i dytë më i madh në atë shtet, forcat regjimit të presidentit Bashar al-Assad e kanë humbur kontrollin edhe në qytete si Hama dhe Homs. Me zotërimin e këtij të fundit, trupat rebele opozitare i janë afruar gjinjtë e më afër Damaskut, kryeqytetit të Sirisë.
Lufta në Siri, kur dukej se ishte harruar nga të gjithë, për shkak të krizave tjera, sikur se pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia, si dhe intervenimit të Izraelit në Rripin e Gazës kundër Hamasit, pas sulmit terrorist të këtij grupi mbi të parin më 7 tetor të vitit të kaluar, si dhe intervenimit të Forcave Mbrojtëse të Izraelit në Liban kundër Hezbollahut, u rishfaq papritmas në vëmendjen e mediave kryesore botërore.
E tëra kjo si pasojë e suksesit në terren të grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS). Ky grup deri më tani ka qenë i koncentruar kryesisht në rajonin e Idlibit, ku jetojnë rreth 4 milionë banorë dhe numëron deri në 30.000 luftëtarë. Mirëpo, tashmë nën ombrellën e tij janë bashkuar edhe fraksione të tjera opozitare, sikur se Ushtria Kombëtare Siriane, e mbështetur nga Turqia. Një dëshmi kjo e interferimit të aktorëve tjerë rajonal në shpërthimin e “befasishëm” të këtij konflikti. Madje, vetë presidenti i Republikës Turke, Recep Tayyip Erdoğan, gjatë ditës së djeshme u shpreh në mënyrë solidare më avancimin kryengritëseve. Ai deklaroi, “se shpresojmë që ky përparim të vazhdojë pa asnjë problem”. Paraprakisht, lideri turk i kishte ofruar Assad-it negociata për të ardhmen e Sirisë, mirëpo, që sipas tij nuk kishin pranuar përgjigje.
Natyrisht, jo vetëm sot, por që nga shpërthimi i luftës civile që mori hov gjatë Pranverës Arabe në vitin 2001, dinamikat e saj në masë të madhe janë diktuar nga përfshirja e aktorëve të jashtëm ndërkombëtar. Dinastia e familjes Assad ia doli ta ruajë sundimin e saj mbi 50 vjeçar fal mbështetjes nga Rusia si dhe forcat proxy të Iranit, sikur se Hezbolahu. Mirëpo, siç e kanë vënë në pah analistë të ndryshëm ndërkombëtare, tashmë të dy këta aleatë janë të fokusuara në konflikte tjera. Putini e ka interes strategjik suksesin ushtarak në Ukrainë, të cilën e ka definuar edhe si luftë kundër NATO-së dhe Perëndimit në përgjithësi, (madje edhe mbështetjen e ndaj regjimit në Siri ai e kishte përkufizuar si kundërvënie ndaj rendit liberal perëndimor, që mëton ta instalojë demokracinë nëpërmjet ndryshimit të regjimit), kurse Irani dhe grupet e tij janë dobësuar tej mase nga lufta me Izraelin.
Në këtë kontekst, ky ndryshim i forcave e shtroi rrugën e asaj që po ndodh aktualisht në ketë shtet tejet strategjik në Lindje të Mesme. Në anën tjetër, grupit islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS),që një kohë të gjatë ishte munduar ta instalonte një administratë civile shtetërorë me elemente teknokratike në rajonin e Idlibit dhe sipas Yezid Sayigh, në dallim nga rajonet tjera, po ashtu këtë pjesë në dominimin e këtij grupi e kishte veçuar një ritëm më pozitiv ekonomik, se në çdo rajon tjetër të Sirisë. Në anën tjetër, figura e tij ikonike e tij, Abu Mohammed al-Jolani, po ashtu i është nënshtruar një transformimi të gjithanshëm politik dhe ideologjik. Ai e filloi aktivitetin e tij në organizatën terroriste Al Kaida në Irak. Më vonë u distancua prej saj për të krijuar një front anti-regjimit në Siri, të quajtur si Jabhat Fateh al-Sham (Fronti për Pushtimin e Levantit), e cila u shndërrua në Hayat Tahrir Al Sham (HTS), ose Organizata për Çlirimin e Levantit.
Sipas mediumit CNN, kjo ndarje ishte strategjike. Me anë të këtij veprimi synohej që të sigurohej mbrojta nga sulmet Shteteve të Amerikës dhe Rusia kundër grupeve islamiste si Al-Kaida dhe ISIS. Dhe që nga ajo kohë ai u përpoq ta sajoi një imazh për vetën, nga një xhihadist klasik anti-perëdnimor, në një revolucionar të pranueshëm. U shfaq si një partner i mundshëm në përpjekjet rajonale dhe perëndimore për ta kufizuar ndikimin e Iranit, si dhe kreu operacione kudër ISIS, duke u përfshirë në vrasjen e liderit të njohur të kësaj organizate, Abu Hussein Al-Husseini al-Qurashi, në vitin 2023. Thomas Pierret, një specialist mbi Islamin Politik, i ka thënë mediumit të njohur britanik “The Guardian” se ai tashmë i ngjan një “radikali pragmatist”.
Për ta amplifikuar këtë imazh, para audiencës botërore, për dallim nga fillimet e karrierës së tij, ku e refuzonte shfaqjen, tashmë Abu Mohammed al-Jolani, siç shkruan CNN, është paraqitur në një intervistë ekskluzive në këtë medium me një uniformë ushtarake të gjelbër dhe më një mjekër të rregulluar mire, duke tentuar të ngjall besim dhe ta prezantojë një botëkuptim të moderuar, ku roli i tij mbetet vetëm si drejtues i një “revolucioni” për ta çliruar Sirinë nga shtypja e Assadit. Për më tepër, ai deklaroi se organizata e tij nuk është qëllim në vetvete, por vetëm mjet drejt këtij objektivi, që pasi të arrihet ajo mund të shpërbehet, duke i hapur rrugë ndërtimit të institucione të reja politike dhe qeverisëse.
Ndërkohë, me një gjuhë te butë, për origjinën e tij në organizata terroriste, gjatë kësaj interviste ai u shpreh se çdo kush gjatë jetës së tij kalon nëpër faza dhe përvoja të ndryshme, dhe këto të fundit mund ta rrisin vetëdijen personale. Një individ në moshën 20 vjeçare ka një personalitet tjetër, apo në moshën 30 e 40 vjeçare, dhe se nuk duhet përjashtuar fuqinë brendshme transformuese. Duke pohuar në fund, se është e rëndësishme që të përshtatemi me realitetin. Dhe se dikujt që i mungojnë këto aftësi fleksibile nuk mund ta drejtojë një shoqëri.
Sidoqoftë, sa do të ketë sukses beteja e tij finale mbetet të shihet. Deri më tani atë dhe organizatën e tij Shtetet e Bashkuara të Amerikës ende e cilësojnë si një formacion terrorist. Por në politikë, si çdo herë gjithçka është e mundur, ku armiqtë e dikurshëm shndërrohen në aleatë të sotëm, kurse aleatët e djeshëm, në armiqtë e sotëm./tvarbëria/