Opozita ka protestuar mbrëmjen e së enjtes (11 Korrik 2024) për dy orë në Tiranë kundër qeverisë Rama.
Ndonëse ishte lajmëruar të niste në orën 20:00 protesta filloi me 30 minuta vonesë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përpara godinës së Kryeministrisë.
Krahas mesazheve kundër qeverisë protestuesit hodhën mbi 25 bomba molotov drejt godinës së qeverisë.
Nga arresti i shtëpisë Kryetari i PD, Sali Berisha që mbajti fjalimin përmes projektorëve teksa i bëri thirrje Kryeministrit Edi Rama që të pranojë qeveri teknike për të garantuar zgjedhje të lira. Protestën e konsideroi lidhje bese për qeveri teknike dhe u bëri thirrje për bashkim partive opozitare.
“Të bashkoheni me ne për qeveri teknike, zgjedhje të lira. Ne do të fitojmë!Kushtrimi im sot shkon për çdo demokrate e demokrat, për socialistët e zhgënjyer dhe qytetarët e paparti, për shqiptarët kudo që ndodhen. Vetëm zgjedhjet e lira janë shpëtimi i Shqipërisë. Por, me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka.Bashkohuni me ne për të lidhur besën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira.
Ne do të fitojmë!Kushtrimi im sot është kushtrimi i flamurit kuq e zi. Është kushtrimi i një kombi që po tretet dhe po grabitet në mënyrë të lemeritshme. Të bashkohemi për t’i thënë STOP me votën e lirë zbrazjes së Shqipërisë. Me Edi Ramën zgjedhje të lira nuk ka. Qeveri teknike është betimi ynë”, tha Berisha.
I pranishëm në protestë fjalim mbajti edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“I themi çdo prokurori si ai i Metamorfozës, dhe ata shokët e McGonigal që janë atje në SPAK do ta paguani dhe do jua bëjmë vetingum dhe juve që fshini krimet e Edi Ramës dhe mbani të arrestuar Sali Berishën për llogari të Edi Ramës. Ju horra e vagabonda pa personalitet që ju merret goja”, tha Meta.
Nga kryeministria, protestuesit u zhvendosën drejt Bashkisë së Tiranës, ku dhe aty hodhën molotov, madje rrezikuan edhe jetën e policëve.
Kjo ishte protesta e parë e opozitës së bashkuar pasi Sali Berisha fitoi me vendim gjykate të drejtën e vulës dhe logos së PD.