Përgatiti: Afrim Kasolli
Wang Jibing, një korrier i ushqimit ditor në Kinë, kryesisht të picave, u bë i njohur këto ditë pasi ia doli që ta fitojë çmimin letrar Lu Xun, për krijimet e tij letrare, shkruan BBC
Ai është bërë pjesë e një grupi “gjithnjë në rritje punëtorësh me profesione fizike, të cilët po vlerësohen për veprat e tyre letrare, të cilat ofrojnë një pasqyrë të presioneve me të cilat përballen në ekonominë gjigante të punëve të përkohshme (gig economy) në Kinë.
Për Wang-un, ky çmim prestigjioz letrar vjen pas disa dekadash të vështira duke kryer punë të rastit.
“Mbajta frymën dhe ndihesha jashtëzakonisht nervoz… Sapo u shpall rezultati, gjithçka mori fund,” tha Wang për median shtetërore Global Times më 15 korrik, kur u bë e ditur se kishte fituar çmimin. Ai shtoi se vëmendja e madhe mediatike kishte krijuar një presion të konsiderueshëm psikologjik.
Shuma monetare që marrin fituesit e Çmimit Letrar Lu Xun nuk bëhet publike, megjithëse në vitin 2014 ajo ishte 100,000 juanë kinezë (rreth 14,800 dollarë amerikanë ose 11,000 paund britanikë).
I lindur në provincën Jiangsu, Wang e la shkollën në adoleshencë për shkak të vështirësive financiare të familjes. Ai punoi në profesione të ndryshme – nga ndërtimi, mbledhja e mbeturinave për riciklim dhe shitja e mallrave në tezga rrugore – përpara se të bëhej korrier ushqimi. Megjithatë, dashuria e tij për leximin nuk u shua kurrë dhe gjatë dhjetë viteve të fundit ai ka publikuar poezitë dhe esetë e tij në rrjetet sociale.
Rrugëtimi i tij ta kujton atë të Chen Zhi për shkak të leximit dhe përkthimit të mendimtarit të njohur gjerman, Martin Haidegger.
I lindur në vitin 1990, ai dikur ishte i apasionuar pas filozofisë, përpara se të braktiste studimet universitare. “Kur isha në universitet, pothuajse i kisha lexuar të gjithë librat e filozofisë që gjendeshin në bibliotekë, përfshirë edhe Sein und Zeit (Qenia dhe Koha) të filozofit gjerman Martin Heidegger, por në atë kohë nuk arrija të kuptoja as përmbajtjen e librit,” pat deklaruar Chen.
Me këtë rast “personaliteti i tij introvert, i kombinuar me belbëzimin, e bënte të vështirë që të qëndronte për një kohë të gjatë në disa lloje pune. Ai u shpërngul në shumë vende të Kinës, si Guangdong, Zhejiang, Jiangsu dhe Pekini, ku punoi në fabrika të veshjeve, elektronikës, depo dhe vende të tjera pune”. Kështu, puna monotone dhe e lodhshme e largoi atë nga komunikimi me të tjerët, duke bërë që ti përkushtohet edhe më shumë leximit të veprave filozofike. Prandaj i nxitur nga ky pasion dhe nga dëshira për ta kuptuar më thellë filozofinë dhe veprën e Heidegger-in, ai edhe nisi përkthimin e librit Heidegger: An Introduction (Heidegger: Një Hyrje), çfarë ndikoi që ta marr vëmendjen e publikut jo vetëm kinez, por edhe botëror.