Sipas Policisë një grua ka lajmëruar se iu është vjedhur vetura e saj. Në raportin e policisë pothuajse çdo ditë ka raste të tilla.
Portali rtv21.tv ka siguruar statistika nga Policia e Kosovës për rastet e vjedhjeve në Kosovë.
Vetëm në nëntë muajt e këtij viti kanë ndodhur 2 mijë e 826 vjedhje dhe 58 grabitje. Megjithatë, Policia për rtv21.tv ka thënë se rastet e vjedhjeve për këta 9 muaj (janar-shtator 2024) kanë shënuar ulje në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Në vitin 2023 kishin ndodhur 3 mijë e 129 vjedhje dhe 64 grabitje. “Pra, siç shihet numri i vjedhjeve ka shënuar rënie për -9.7% dhe numri i grabitjeve rënie për -9.4%”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Ndërsa, sa persona vuajnë dënimin për vepra të tilla, rtv21.tv ka siguruar të dhëna nga Shërbimi Korrektues i Kosovës.
Sipas tyre nga 1156 persona që po mbajnë dënimet në institucionet korrektuese të Shërbimit Korrektues të Kosovës aktualisht janë 212 persona të burgosur për vjedhje dhe grabitje.
“Në qendrat korrektuese të SHKK-së, gjithsej kemi 212 të burgosur për veprat penale: vjedhje, vjedhje e rëndë, vjedhje grabitqare, grabitje dhe vjedhje të shërbimeve”, ka thënë SHKK në një përgjigje me shkrim.
Njohësi i sigurisë në vend, Arben Dashevci ka thënë se dukuria e vjedhjeve dhe grabitjeve në Kosovë është shumë shqetësuese.
Dashevci në një prononcim për rtv21.tv ka thënë se fenomeni i vjedhjeve dhe grabitjesve duhet të trajtuar dhe analizuar nga agjensionet e zbatimit të ligjit, Prokuroria, Policia dhe Gjykata.
“Gjykuar nga aspekti kriminalistik unë mendoj që policia duhet të aplikojë masa të veçanta në zbulimin e kryersve të veprave penale grabitje, prandaj në procesin e zbardhjes të veprave penale të grabitjes dhe përgjegjësisë së autorëve të tyre, është e nevojshme të veçohen këto masa: 1. Ekapertiza autobalistike, 2. Roboti fotografik, 3. Paraqitja për njohje, 4.Krijimi i profilit psikologjik të autorit, 5.Mbledhja kompjuterike e të dhënabe të autorëve Modus Operandi( mënyra e kryerjes). 6.Ekapertiza autobalistike, audio balistike duhet të shfaqet si një teknikë e dobishme hetimore në zbardhjen e veprave penale të grabitjes veçanarisht në rastet kur vepra penale është kryer me armë të zjarrit. Nga këto armë vuajnë viktimat e krimeve dhe personat e pafajshëm, qofshin ato lëndime të lehta apo të rënda trupore (të zakonshme apo të rrezikshme për jetën), dhe në një numër të madh të rasteve vet akti i dhunës mund të përfundon me vrasje të një personi si pasojë e rëndë e grabitjes. Siç e theksova, numri më i madh i grabitjeve në vendin tonë janë kryer me përdorimin e forcës fizike dhe përdorimin e armës së zjarrit më së shpeshti me pistoletë. Pjestarët e policisë së bashku me prokurorin e shtetit dhe gjykatat janë në betejë të vazhdueshme me autorët e krimeve më të rënda dhe po përpiqen t’i sjellin autorët para drejtësisë dhe të marin dënimin e merituar. Si rezultat i këtij fenomeni konsideroj që politika penale duhet të jetë edhe më e ashpër në shqiptimin e sanksioneve penale të këtyre kryersve që të arrihet rezultati dhe këto vepra të shëmtuara të frenohen, sepse shkaktojnë trauma afatshkurta, afatmesme dhe afatgjata te viktimat e pafajshme”, ka thënë Dashevci.
Mosha mesatare e personave që vuajnë dënimin në Qendrat Korrektuese të Kosovës për “hajni” është 30 vjeç. Por, ka edhe persona nën 18 vjeç të burgosur për vjedhje e grabitje.
“Mosha mesatare e të burgosurve për veprat e lartpërmendura është 30 vjeç. Nën moshën 18 vjeç kemi gjithsej 4 të burgosur”, ka njoftuar Shërbimi Korrektuesi Kosovës.
Dënimet për të burgosurit që kanë kryer këto vepra variojnë nga 6 muaj deri në 25 vjet.