Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Sport > Nga e ardhmja e Fodas, stadiumi kombëtar e kritikat ndaj Superligës, vijnë mesazhet e Agim Ademit

Nga e ardhmja e Fodas, stadiumi kombëtar e kritikat ndaj Superligës, vijnë mesazhet e Agim Ademit

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka pranuar se nën drejtimin e trajnerit Franco Foda, Kombëtarja e Kosovës në futboll nuk e ka arritur objektivin kryesor të saj, atë që të jetë e para në Grupin 2 të Ligës së Kombeve, por ka theksuar se tekniku gjerman ka sjellë filozofi të re të lojës te dardanët.

Ademi ka shtuar se kualiteti i lojtarëve të Kosovës sjellë detyrimin që të kërkohen rezultate më të mira në çdo garë evropiane e botërore.

Përkundër se nuk është arritur objektivi kryesor, Ademi në intervistën për KosovaPress, thotë se besimi në trajnerin Foda vazhdon të jetë por që e ardhmja e tij varet nga rezultatet që sjellë.

Gjatë vitit të kaluar sfida që bëri bujën më të madhe ishte ajo ndërmjet Rumanisë dhe Kosovë e zhvilluar në Bukuresht dhe tre muaj më vonë, Ademi thotë se gjithçka që ndodhi atë natë ishte e planifikuar nga rumunët.

Përtej rezultateve në fushë, Kombëtarja e Kosovës vazhdon të vuaj mungesën e një stadiumi, ndërtimi të cilit, sipas ministrit Hajrulla Çeku do të nis këtë vit, ndërsa i pari i FFK-së thotë se ai mund të ndërtohet në Drenas.

Duke u kthyer për të folur për Superligën e Kosovës, Ademi thekson se elita e futbollit vendor po vlerësohet lartë nga ana e UEFA-s, derisa pati një përgjigje të ashpër ndaj atyre që ngrenë dyshime se përmes disa gjyqtarëve, federata po vendos se kush do të bëhet kampion e kush do të bie nga liga.

Ademi gjithashtu ka bërë të ditur se në gjysmën e parë të vitit 2025 pritet të bëhet edhe përurimi i Kampit Nacional të futbollit në Hajvali dhe në atë rast pritet që të zhvillohet një ndeshje ndërmjet legjendave të futbollit evropian e botëror.