Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Nga dështimi në dështim

Nga dështimi në dështim

Shkruan: Afrim Kasolli

Seria e dështimeve të Kuvendit të Kosovës për t’u konstituar tashmë po shndërrohet norme. Për më shumë po merr karakter banal. Lëvizja Vetëvendosje mbetet besnike ndaj emrit të Albulena Haxhiut, edhe pse sot e pranoi hapur ish-kryetari Glauk Konjufca se kanë dështuar t’i sigurojnë numrat për votuar dhe se kjo sfidë nuk mund të tejkalohet pa një marrëveshje paraprake politike ndërmjet subjekteve paralmanentare.

Mirëpo, është ky lidershipi i kësaj partie në krye me Albin Kurtin, që në masë të madhe i ka kontribuar në masë të madhe rrënimit te urave të komunikimit për shtegdalje nga situata ku gjenden. Njëzëri të gjithë përfaqësuesit e saj politik i mëshojnë idesë se kjo e drejtë iu takon atyre si parti fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit e vulosur me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014. Formalisht kjo është e saktë. Mirëpo, as në të kaluarën materializimi i kësaj norme nuk kishte ndodhur pa kompromise politik paszgjedhore.

Ndërkohë, edhe PDK, LDK dhe AAK nuk ia mohojnë këtë të drejtë Lëvizjes Vetevendosje, mirëpo ato janë zotuar se nuk do ta përkrahin, të paktën kandidaten aktuale, por duke mos përjashtuar ndonjë emër, sikur në rastin e Ramush Haradinajt. Kjo krize në fund të fundit, po e nxjerr në pah hiperpartizimin që e ka ndërtuar politika e Kosovës në raport me rendin kushtetues. Ku ky i fundit ka vlere për aq sa është në shërbim të interesave të partisë. Lëvizja Vetëvendosje sot kërkon të respektohet ajo normë legale të cilën dikur e sanatizonte si superstrukture e ish-partive të “regjimit të vjetër” për ta mbajtur pushtetin në mënyrë jo demokratike. Kurse, këto të fundit që në të kaluarën e kishin siguruar poziten e krye-parlamentarit në saje të karakterit të saj imperativ, por që sot nuk kanë vullnet politik për ta mbështetur. Megjithatë, siç thash edhe në të kaluarën kjo “nyeje gordiane” nuk zgjidhej pa marrëveshje politike.

Prandaj, i takon partisë fituese të zgjedhjeve ta kuptojë që nuk është fitimtare absolute dhe të tregohet e gatshme për marrëveshje, e jo me arrogancë të demonstrojë indiferencë shperfillise. Ndërkohë, bllokimi i shtetit nga këto sjellje politike është duke i prodhuar dy pasoja madhore fatale për vendin. Në njërën anë vazhdon hemorragjia kombëtare e emigrimit të të rinjve në botën perëndimore.

Kurse në anën tjetër, siç e dëshmoi sot aksioni i Policisë së Kosovës në Kaçanik, për arrestimin e të dyshuarve për vrasjen e rreshterit policor, Muhamed Lika, gjithnjë e më shumë, po ashtu të rinj të tjerë, janë duke gjetur strehë nën paravanin e ideologjive ekstreme fetare me potencial për aksione terroriste