Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > “Nga Dardania në Pavarësi”, ekspozitë artistike në Lubjanë që sjell historinë dhe identitetin e Kosovës

“Nga Dardania në Pavarësi”, ekspozitë artistike në Lubjanë që sjell historinë dhe identitetin e Kosovës

Një ngjarje e rëndësishme kulturore do të mbahet të hënën, më 23 mars, në Lubjanë, ku do të hapet ekspozita artistike “Nga Dardania në Pavarësi”, një rrëfim i fuqishëm përmes historisë, qëndresës dhe lirisë së popullit të Kosova.

Ekspozita organizohet nga Instituti – Lidhja Shqiptaro Evropiane dhe vjen e kuruar nga Emine Jetishi, njëherazi drejtoreshë e Departamentit të Kulturës Shqiptaro-Evropiane.

Kjo ekspozitë sjell një udhëtim unik nga lashtësia e Dardanisë deri te shpallja e pavarësisë së Kosovës, përmes veprave të artistëve të njohur shqiptarë. Pjesë e saj janë edhe artistët Astrit Rexhepi, Berat Beqiri dhe Ylber Dauti, të cilët përfaqësojnë dimensionin e përbashkët kulturor dhe kombëtar.

Kuratorja Jetishi theksoi se ekspozita është konceptuar si një rrëfim vizual dhe shpirtëror që lidh historinë me identitetin modern të shtetit të Kosovës.

“Ekspozita është një udhëtim që dëshmon se historia nuk ka mbetur në gurët e lashtësisë, por jeton në vetëdijen, artin dhe identitetin e Kosovës së pavarur. Përmes veprave artistike, ne nderojmë Ditën e Pavarësisë dhe prezantojmë trashëgiminë tonë në një kontekst ndërkombëtar”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, artisti Ylber Dauti e cilësoi pjesëmarrjen në këtë ekspozitë si një moment të veçantë dhe emocional.

“Pjesëmarrja në këtë ekspozitë nuk është vetëm prezantim artistik, por një rikthim te rrënjët dhe te shpirti i pathyeshëm shqiptar. Arti për ne ka qenë gjithmonë mjeti për të ruajtur identitetin, edhe në kohët më të vështira”, tha ai.

Sipas tij, veprat e prezantuara ndërthurin antikitetin me të sotmen, duke përcjellë mesazhe të qëndresës, krijimtarisë dhe vazhdimësisë historike të shqiptarëve.

Ekspozita “Nga Dardania në Pavarësi” pritet të tërheqë vëmendjen e publikut ndërkombëtar dhe të shërbejë si një urë lidhëse mes historisë, artit dhe identitetit kulturor shqiptar.