Shkruan: Afrim Kasolli
Kanë kaluar më shumë se një javë që kur Gjykata Supreme e ka urdhëruar ZRRE-në për t’i shfuqizuar “dy nene të udhëzuesit për liberalizimin e tregut të energjisë, duke thënë se ato kanë krijuar pasiguri juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike në vend”. Sipas aktvendimit të Supremes “mospërputhjet ndërmjet dispozitave ligjore dhe dispozitave të akteve nënligjore normative kanë ndikuar në krijimin e një situate të pasigurisë juridike dhe ekonomike për konsumatorët e energjisë elektrike, duke e bërë të domosdoshme ndërhyrjen e gjykatës”.
Mirëpo, deri më tani ZRRE nuk ka dhënë shenja se do të veprojë në koherencë më këtë detyrim juridik. Nëpërmjet një komunikate për media ky institucion ka pohuar se e mirëpret vendimin e Gjykatës Supreme, por se “procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike vazhdon, krahas vlefshmërisë së kontratave ekzistuese të konsumatorëve në treg të hapur, të cilat vazhdojnë të mbeten në fuqi”.
Ky formulim nuk lë shumë hapësirë për ekuivoke. Shihet qartë së ZRRE do ta bëjë të pamundurën që të mos ketë kthim mbrapa sa i përket vendimit për detyrimin e kompanive vendore që të dalin në treg të hapur energjetik të cilat i kanë mbi 50 punëtorë apo qarkullim 10 milionë euro.
Megjithatë, shtrohet një pyetje nga buron kjo forcë ekstra legale e këtij trupi adiminstrativ që i jep vetës luksin edhe t’i bishtnojë vendimeve të gjyqësorit. Një arsyeje mund të jetë sjellja e Qeverisë në detyrë. Sepse kjo e fundit ka kohë që merr vendime në kundërshtim me një aktgjykim të mëhershëm të Gjykatës Supreme, e cila e kishte konsideruar si konflikt interesi vendimmarrjen nga ata anëtarë të kabinetit ekzekutiv të cilët paralelisht janë edhe pjesë e legjislativit. Dhe të njëjtit nuk kanë pasur asnjë pasoje juridike për qasje. Prandaj, është normale që kjo “kulturë e paligjshmërisë” e prirë nga pushteti, të reflektohet edhe në kapilarët e tjerë të sistemit.
Por ajo që është më kryesorja, ky injorim nuk mund të shkëputet nga logjika e ekonomike e doktrinës neoliberale. Dhe siç ka vënë në pah sociologu i njohur francez Pierre Bourdieu, ne shkrimin “The essence of neoliberalism – What is neoliberalism? A programme for destroying collective structures which may impede pure market logia” njëra nga tiparet e kësaj fryme qëndron në mbrojtjen e kompanive dhe investimeve të huaja nga kufizimet ligjore të shteteve të veçanta. Prandaj, ZRRe duke operuar brenda këtyre parametrave vetëm po e konfirmon se mbrojta e fitimeve të kompanive si KEDS dhe rrjeteve tregtare energjike po merr supermaci politik dhe ekonomike mbi infrastrukturën juridike dhe ligjet dhe shteti i Kosovës.