Në fshatin Vlahën të Hasit në Shqipëri, sot jetojnë vetëm rreth 200–250 banorë rezidentë, një numër i ulët që vjen si pasojë e migrimit të vazhdueshëm. Ata që kanë mbetur aty janë kryesisht të moshuar, punëtorë e të përkushtuar që mbajnë gjallë traditën, historinë dhe kujtesën e një vendi me rëndësi të jashtëzakonshme për luftën e fundit në Kosovë.
Gazetari i TV Arbëria, Valdet Ajazi, në kuadër të emisionit “N’Voter me Valin”, raporton se Vlahna, dikur një nga bazat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sot po përballet me braktisje, mungesë investimesh dhe infrastrukturë të degraduar, sidomos rrugën kryesore, e cila prej vitesh nuk është rregulluar.
Gjatë luftës së Kosovës, fshati u shndërrua në strehë të qindra luftëtarëve të UÇK-së dhe refugjatëve. Shtëpitë e banorëve u bënë baza organizimi, depo pajisjesh dhe qendra koordinimi mes zonës së Hasit dhe Pashtrikut. Fshati njihej si vend i besës, ku fjala kishte peshë dhe ku liria merrte kuptim.
Rrustem Sokoli, banor i Vlahës dhe kryetar i fshatit, kujton ditët e para të bombardimeve:
“Gjatë kohës së UÇK-së unë i kam pasur 120 veta nga Kosova në shtëpi. Herët në mëngjes, rreth orës 5, filluan bombardimet dhe u krijua panik, por fatmirësisht asnjë plumb nuk ra mbi shtëpitë tona. Vetëm në fshatin tonë kanë qenë rreth 700 të strehuar. U munduam t’i presim sa më mirë, me aq mundësi sa kishim, edhe pse ishte koha më e vështirë.”
Sokoli kujton edhe momentet e rënda kur Luan Haradinaj u vra në Vlahë:
“Luan Haradinaj është vrarë këtu natën. Edhe Ramushi ka qenë me ta. Ka pasur edhe të tjerë të plagosur. Për Luanin e di që ka vdekur këtu.”
Edhe drejtori i shkollës së fshatit, Hamdiu, konfirmon se Vlahna ka pësuar rënie të madhe të popullsisë:
“Kushtet i keni parë edhe vet. Numri i nxënësve ka rënë shumë. Dikush ka ikur jashtë vendit, dikush në qytete. Tani nga klasa e parë deri në të nëntën kemi 95 nxënës dhe rreth 20 në parashkollor. I gjithë fshati ka qenë i angazhuar në luftën e UÇK-së, pasi këtu ka qenë bazë. Nëse shkonin 100 persona për t’i çuar armatim UÇK-së, po aq ishin nga fshati”.