Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Ekonomi > Nga 820 milionë euro u shpenzuan 560 milionë – Murati s’tregon pse nuk u shpenzuan të gjitha mjetet për projekte kapitale

Nga 820 milionë euro u shpenzuan 560 milionë – Murati s’tregon pse nuk u shpenzuan të gjitha mjetet për projekte kapitale

Nga 820 milionë eurot e ndara për projekte kapitale në Kosovë, në vitin 2023, u shpenzuan 560 milionë, tha ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Pjesa më e madhe e tyre u ekzekutua në gjashtëmujorin e dytë të vitit.

Kjo, sipas Muratit, ndodhi për shkak të hezitimit të kompanive punëkryese për t’u angazhuar në fillim të vitit, kur çmimet e lëndës së parë dhe të materialeve ndërtimore ishin më të shtrenjta.

Projektet në të cilat u investua, përfshinë: rrugë lokale, kanalizime, kanale të ujitjes, çerdhe, objekte spitalore, digjitalizim të sistemit të arsimit e të tjera.

Në një konferencë për media më 28 dhjetor, Murati nuk specifikoi se në cilat komuna është investuar, e as sa.

Sipas Informatorit për qytetarë për Buxhetin 2023, të publikuar nga Ministria e Financave, shuma e mjeteve për projekte kapitale për nivelin qendror ishte 604 milionë euro, ndërsa për nivelin lokal 216 milionë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, thotë se projektet është dashur të përfundojnë në fund të vitit dhe jo të fillojnë.

Instituti për Studime të Avancuara, GAP, gjeti se miliona euro shkuan për projekte të vjetra. Ndërsa, sipas disa përfaqësuesve të opozitës, shuma të mëdha parash, të destinuara për investime kapitale, u ndanë si “lëmoshë”.

Murati, i cili udhëheq Ministrinë e Financave – përgjegjëse për mjetet që ndahen – nuk u përgjigj se pse nuk janë shpenzuar të gjitha mjetet.

Ngjashëm nuk u përgjigjën as tri komunat me më së shumti projekte të pafilluara.

Por, sipas Sazan Ibrahimit, udhëheqës i Asociacionit të Komunave të Kosovës, ato e kanë shpenzuar rreth 70 për qind të buxhetit të paraparë për projekte kapitale.

Ai thotë se projektet e komunave kanë vlera të vogla financiare, krahasuar me ato të nivelit qendror.

Duke mos specifikuar se për çfarë projektesh bëhet fjalë dhe për cilat komuna, Ibrahimi shton se ato, sivjet, kanë pasur vetëm 23 për qind të fondeve të parapara për projekte kapitale.

/TV Arbëria

Powered by WordPress