Nga Agron Hoti
Sipas GAP “nga viti 2021-2024 nga Kosova kanë ikur 210.444 qytetarë”, pra më shumë sesa çdoherë dhe më shumë sesa në çdo vend tjetër të rajonit. Me këto ritme të frikshme do të bëhemi të gjithë diasporë. Mjerisht ata që kanë ikur dhe po ikin janë kryesisht të rinj dhe profesionistë. Edhe ata pak profesionistë që kemi po ikin. Kosova po përthahet në aspektin e kapitalit njerëzor.
Fshatra të tëra kanë ngelur tashmë pa fëmijë e rini.
Shumë shpejtë spitalet e Kosovës nuk do të kenë më anesteziologë për t’i futur pacientët në operacione kirurgjike. Në spitalin e Prishtinës dhe gjetiu nëpër Kosovë po shtyhen me muaj tërë operacionet për shkak të mungesës së anesteziologëve dhe jo vetëm. Askush nuk po flet për këtë alarm kombëtar.
Sikur Kosova gjatë kësaj kohe të ishte mirë-koordinuar me SHBA dhe BE dhe të kishte ftuar shërbime online si dhe të kishte sjellë investitorë, shumica prej këtyre njerëzve nuk do të iknin, përkundrazi edhe shumë do të ktheheshin. Izolimi aktual dhe bllokada totale brenda dhe jashtë bashkë me rritje të çmimeve, përfshirë atë të energjisë, janë duke e nxitur me të madhe ikjen e rinisë dhe profesionistëve.
I tërë ky shkretim i shpejtë dhe i frikshëm që po i ndodh vendit, po i mjegullohet qytetar zezës me patriotizëm të rremë dhe fjalë të bukura veshi, ndërkohë që xhepi i tyre po varfërohet çdo ditë e më shumë. Duke i thënë qytetar zezës se po e mbrojmë nga Serbia, me këtë ikje të frikshme veç sa po çojmë ujë edhe më shumë në Serbi.
Sabotazhi kundër të ardhmes së Kosovës është pikërisht kështu. Ëndrra serbe e ruse për zbrazje të Kosovës po realizohet, ndërkohë që ne po vazhdojmë me bllokadë totale brenda dhe jashtë vendit, thua ti se nuk po ndodh asgjë. Më antikombëtare se kështu siç jemi nuk ka se si të jetë gjendja e përgjithshme politike, ekonomike dhe sociale.