Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Nga 1 janari 2026 pritet shtrenjtimi i ujit, paralajmërohet rritje deri në 40 për qind

Nga 1 janari 2026 pritet shtrenjtimi i ujit, paralajmërohet rritje deri në 40 për qind

Pas rritjeve të vazhdueshme të tarifave të energjisë elektrike, qytetarët e Kosovës pritet të përballen me një tjetër barrë ekonomike nga fillimi i vitit 2026. Bëhet fjalë për rritjen e tarifave të ujësjellësit, e cila pritet të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm.

Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) ka konfirmuar se aktualisht është në proces të shqyrtimit të aplikacioneve tarifore të Kompanive Rajonale të Ujësjellësit (KRU).

“ARRU është aktualisht në proces të analizës dhe shqyrtimit të aplikacioneve tarifore. Në momentin kur procesi i vlerësimit përfundon, ARRU do të nxjerrë Vendim për Urdhëresat Tarifore për periudhën 2026–2028, të cilat do të publikohen më 31 dhjetor 2025”, thuhet në përgjigjen e ARRU.

Edhe pse ende nuk ka një vendim zyrtar për përqindjen e rritjes, sipas raportimeve, shtrenjtimi i tarifave të ujit mund të shkojë deri në 40 për qind. Vendimi përfundimtar pritet të bëhet publik në fund të këtij viti.

Ndërkohë, zëdhënësja e KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku, ka bërë të ditur se borxhi i qytetarëve ndaj kësaj ndërmarrjeje ka arritur në rreth 45 milionë euro. Ajo ka paralajmëruar se konsumatorët që nuk i paguajnë faturat brenda 16 ditëve të ardhshme do të procedohen te përmbaruesit.

“Ne furnizojmë me ujë të pijshëm rreth 180 mijë konsumatorë. Nëse llogarisim numrin e anëtarëve për familje, më pak se gjysma e konsumatorëve i paguajnë rregullisht faturat, ndërsa borxhi total ka arritur në 45 milionë euro”, ka deklaruar Mjeku.

Ajo ka shtuar se ditëve të fundit janë regjistruar turbullira në kanalin Ibër-Lepenc, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje në furnizimin me ujë të pijshëm. Për këtë situatë, Mjeku u ka kërkuar falje të gjithë konsumatorëve, duke theksuar se po punohet për stabilizimin e furnizimit. /TVArbëria