Një tjetër Kampionat Botëror, një tjetër zhgënjim. Neymar, edhe një herë, nuk mund ta çonte Brazilin drejt lavdisë. Ka qenë një seri dhimbjesh për yllin brazilian, duke filluar nga Botërori 2014, kur një Neymar i dëmtuar shikoi nga ana tjetër poshtërimin 1-7 në gjysmëfinale nga Gjermania. Më pas erdhi humbja zhgënjyese 1-2 kundër Belgjikës në çerekfinale në edicionin e fundit.
Katar 2022 filloi me një ecuri të përzier për Neymar, me Brazilin që fitoi ndeshjen e parë kundër Serbisë, por ai u lëndua përsëri dhe u largua nga dy ndeshjet e ardhshme. Ai u rikthye kundër Koresë së Jugut dhe frymëzoi ekipin për një fitore me rezultat 4-1.
Brazili dhe Neymar besuan se kishin kaluar në gjysmëfinale kur ai krijoi një moment magjik për ta çuar skuadrën përpara në vazhdimin e parë. Por Kroacia shënoi golin e barazimit dhe fitoi në penallti për të thyer zemrat e brazilianëve dhe për të përlotur Neymarin dhe të tjerët.
Pas ndeshjes, ylli i PSG-së la shumë dyshime nëse do të jëtë pjesë e Botërorit të ardhshëm.
“Sinqerisht, nuk e di. Mendoj se të flasësh tani është e keqe për shkak të nxehtësisë së momentit. Ndoshta nuk jam duke menduar drejt,” tha Neymar.
“Të them se ky është fundi do të ishte e ngutshme, por as nuk garantoj asgjë. Të shohim se çfarë do të ndodhë në vijim. Dua ta kaloj këtë kohë për të menduar për këtë, të mendoj për atë që dua për veten time. Nuk do ta mbyll derën për të luajtur me Brazilin, as nuk them 100 për qind se do të kthehem”, u shpreh në fund Neymar. /TV Arbëria