Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > Netanyahu në Washington në mes të paqartësive politike në SHBA

Netanyahu në Washington në mes të paqartësive politike në SHBA

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbërriti në Washington ndërsa të mërkurën pritet të mbajë një fjalim në Kongres dhe do të ketë një takim në Shtëpinë e Bardhë. Kryeministri izraelit ndodhet në Washington, ndërsa në kryeqytetin amerikan ka paqartësi politike pas vendimit të Presidentit Joe Biden të dielën për t’u tërhequr nga gara presidenciale. Vendimi i Presidentit Biden mund të shtojë një shtresë tjetër pasigurie në marrëdhëniet amerikano izraelite në një moment vendimtar në luftën e Gazës.

Sulmet izraelite në Khan Yunis shkaktuan mbi dhjetë viktima të hënën. Qindra të tjerë u larguan pas urdhërave për evakuim.

Kryeministri Benjamin Netanyahu udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara, ndërsa zgjedhjet presidenciale këtu pësuan një ndryshim të madh pas njoftimit të Presidentit Biden për t’u larguar nga gara.

“Unë do të kërkoj mbështetje nga të dyja partitë, që është shumë e rëndësishme për Izraelin. Pavarësisht se kë zgjedh populli amerikan si president të ardhshëm, Izraeli mbetet aleati i domosdoshëm dhe i fortë i Amerikës në Lindjen e Mesme”, tha Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Megjithatë, analistët thonë se në garën e mundshme për Shtëpinë e Bardhë mes nënpresidentes Kamala Harris dhe ish-Presidentit Donald Trump, Netanyahu do të preferonte një republikan.

“Republikanët janë mbështetës më të fuqishëm të agjendës së sigurisë së Izraelit. Këtë e mendojnë të gjithë ata që janë në pushtet në Izrael. Republikanët janë më tolerant ndaj qeverisë së krahut të djathtë të Izraelit dhe politikave të saj ndaj palestinezëve”, thotë Jonathan Rynhold, kreu i Departamentit të Studimeve Politike në Universitetin Bar-Ilan të Izraelit.

Kryeministri Netanyahu njoftohet se ka kërkuar një takim me ish-presidentin Trump, i cili zbatoi politika të rëndësishme pro-izraelite gjatë mandatit të tij.

Ish Presidenti Trump ndërmjetësoi normalizimin e marrëdhënieve diplomatike të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreinin.

Ai e zhvendosi ambasadën amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem dhe njohu aneksimin nga Izraeli të Lartësive të Golanit, një rajon në cepin jugperëndimor të Sirisë.

“Me fitoren e Kamalës, Netanyahu me siguri do të përballet me dikë që do të vazhdojë mbështetjen e marrëdhënieve SHBA-Izrael. Por, retorika e saj do të ashpërsohet mbi aktivitetin e vendbanimeve të reja izraelite, dhe mbi të gjitha do të jetë më dashamirëse ndaj të drejtave palestineze”, thotë Aaron David Miller nga organizata ‘Carnegie Endowment for International Peace’.

Qëllimi kryesor i Kryeministrit Netanyahu në Uashington është të përgatisë terrenin për angazhimin me administratën e ardhshme amerikane.

Ndërsa parlamenti izraelit po i afrohet një pushimi tre mujor, kryeministri mund të marrë vendime të rëndësishme.

“Kjo mund të jetë një periudhë që do t’i mundësonte Netanyahut të merte një vendim të rëndësishëm gjatë pushimimeve të parlamentit. Qeveria e koalicionit nuk mund të shpërbëhej, pasi kjo nuk mund të ndodhë ndërsa parlamenti nuk punon”, thotë Nimrod Goren analist për çështjet e Izraelit në Institutin për Lindjen e Mesme, me bazë në Uashington.

Gjatë kësaj kohe, Kryeministri Netanyahu mund të dalë kundër qëndrimit të partive të së djathtës ekstreme në koalicionin e tij dhe të arrijë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, pas gati nëntë muajsh lufte.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha javën e kaluar që një marrëveshje e tillë është e afërt.

“Unë besoj se jemi shumë pranë arritjes së një marrëveshjeje për armëpushim, kthimin e pengjeve dhe krijimit të kushteve për të vendosur një paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thotë zoti Blinken.

Megjithatë, shumica e analistëve janë skeptikë se marrëveshja e armëpushimit do të zgjaste përtej fazës së parë: një pauzë gjashtë-javore në luftime në këmbim të disa prej pengjeve të mbajtura nga Hamasi./VOA

Powered by WordPress