Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Art > Nënshtrimi i verbër ndaj autoritetit si burim i së ligës

Nënshtrimi i verbër ndaj autoritetit si burim i së ligës

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ekzistojnë disa mënyra të nënshtrimit të njerëzve ndaj pushtetit. Përdorimi i jashtëm i dhunës dhe terrorit mbetet ndër më të njohurat. Instalimi i tyre bëhet me qëllim të frikësimit të atyre që duhet të subordinohen. Që në shekullin 17-të në librin “Fryma e Ligjeve” mendimtari francez, Montesquieu, kishte konstatuar se frika e ushqen kodin e tiranisë.

 

Mirëpo, krahas këtyre metodave, një mënyrë tjetër e nënshtrimit mbetet bindja e verbër ndaj autoriteteve sipërore. Respektimi dhe zbatimi me një “lehtësi të padurueshme” i rregullave, normave dhe urdhrave të jashtme e formëson “dialektikën” e këtij procesi psiko-social. Ky tension, siç dihet daton që nga koha e Sokratit.

 

Kurse shumë nga studimet dhe eksperimentet e shekullit 20-të, në kuadër të psikologjisë sociale, kanë treguar se ajo e karakterizon substratin emocional edhe social edhe të shoqërive bashkëkohore.  Dhe pikërisht mënyra se si funksionon në praktikë ky relacion qëndron në thelb të hulumtimeve të studiuesit të njohur të psikologjisë sociale, Stanley Milgram, në librin e tij “Obedience to Authority: An Experimental View. Ndërkohë, i njëjti studim në vitin 2015 është ekranizuar në film të titulluar, “Experimenter”, me regji të Michael Almereyda.

 

Siç thuhet që në fillim të këtij trileri dramatik, ekzistojnë disa mënyra që i nxisin njerëzit se si të mësojnë. Njëra prej tyre është nëpërmjet shpërblimit. Por krahas saj ekziston edhe ajo e ndëshkimit. Me qëllim të hetimit se si konkretisht mund të veprojë ky stimul, Stanely Milgram (Peter Sarsgaard) e inskenon një eksperiment në universitetin e njohur Yale. Me këtë rast, dy palë bëhen pjesë e kësaj studimi. Në njërën anë “nxënësi” i cili sa herë që gabon i nënshtrohet shokut elektrik, kurse në anën tjetër “mësuesi” që pas çdo gabimi duhet t’i shtojë valët elektromagnetike. Mbi ta qëndron një vëzhgues i cili me një ftohtësi burokratike i rekomandonte dhe i urdhëronte palët se si duhet t’i zbatojnë  proceduarat.

 

Këtu duhet kujtuar se efektet e shokut elektrik nuk janë reale, mirëpo ai i cili është i obliguar të operojë me to kundër atij që bënë gabime nuk e dinë këtë fakt. Të dhënat e këtij eksperimenti janë tronditëse. Shumica e atyre që morën pjesë në këtë “operacion” edhe pse i “shihnin” me sytë e tyre dhimbjet dhe vuajtjet e atij që i nënshtrohej presionit, vazhdonin t’i zbatonin urdhrat e mbikëqyrësit të eksperimentit deri në kufijtë ekstrem. Pas përfundimit të çdo seance ata arsyetoheshin se e vazhdonin procedurën sepse këtë e kërkonte mbikëqyrësi i tyre.

 

Pra shumica treguan më shumë prirje dhe vullnet për t’i zbatuar rregullat që i pranuan në fillim të “lojës” se sa për ta marrë në konsideratë kërkesën për ndërprerje të atij që ishte në vuajte dhe dhimbje si pasojë e veprimeve të tyre.  Natyrisht, kishte edhe nga që nuk pranuan t’i ndjekin rregullat, me arsyetimin se kishin ardhur me vullnet të lirë dhe mbi këtë bazë nuk mund të vazhdojnë kur me sjelljet e tyre janë duke i bërë dëm tjetrit.  Mirëpo, sipas këtij studimi këto akte refuzimi në shumë ishin sfidë se sa normë.

 

Ky eksperiment u realizua në fund të viteve ’60-ta, kohë kjo, kur në masë të madhe vlonin diskutimet mbi tragjeditë Luftës së Dytë Botërore, shkatërrimet, gjenocidin dhe holokaustin dhe si ishte e mundur që ata njerëz që u bënë pjesë e këtyre akteve monstruoze mund të gjenin qetësi brenda vetes. Po ashtu, kjo ngjarje kishte ndodhur pikërisht pak ditë pasi në Jerusalem u ekzekutua me vdekje  Adolf Eichmann.  Ai u akuzua si njëri nga arkitektet kryesor në deportimin e hebrenjve në kampet e përqendrimit me qëllim shfarosjen e tyre. Gjatë paraqitjes së tij, Eichmann, nuk i mohoi krimet e bëra, por nuk dëshmoi asnjë ndjenjë pendese dhe faji, sepse siç deklaroi para trupit gjykues, ai ishte “thjesht një transmetues dhe zbatues i urdhrave, dhe që në jetën e tij, kurrë nuk kishte bërë diçka të madhe ose të vogël pa instruksionet e atyre që ishin superior mbi të”. Madje, duke marrë shkas nga ky rast, pak me vonë, Hannah Arnnedt në librin e saj “Eichmann in Jerusalem” sjellje të tilla i kishte definuar si burim të “banalitetit të së ligës”

 

Autori i këtij studimi iu nënshtrua një kritike të ashpër se kishte kryer një veprim jo etik. Mirëpo, ai u arsyetua se asnjë nga ata që morën pjesë nuk ishin të detyruar me dhunë ta bënin këtë me detyrim. Qëllimi ishte vetëm që të kuptohej se çka ndodh në kuadër të një aksioni ndërmjet urdhrit dhe pasojave, horizont ky brenda të cilit gjendet individi. Pra thjesht që të kuptoheshin kushtet e aksioneve njerëzore. Për më shumë, 84% e participantëve u shprehen të kënaqur që morën pjesë, 15 % nuk shfaqen ndonjë ndjeshmëri, kurse vetëm 1 % demonstruan ndenja negative. Ndërkohë, shumë nga ata deklaruan se në këtë mënyrë kanë pasur mundësi të mësojnë më shumë edhe për vetveten, se si do të reagonin në situata që e tejkalojnë ato personale.

 

Me anë të këtij eksperimenti sado tronditës që të jetë, Stanely Milgram, ka hedhur dritë në njërën nga plagomat dhe dobësitë fatale shoqërore, se si shumica e qenieve njerëzore shpeshherë nuk kanë resurse të brendshme psikologjike për t’i rezistuar autoritetit. Kjo shtytje ku individi kapet pas autoritetit të jashtëm ndikon që ai të tjetërsohet nga aksionet e tij. Thëniet e zakonshme që i hasim çdo ditë se “kjo nuk është puna ime”, “unë nuk jam përgjegjës” “thjesht duhet t’i ndjekim rregullat” “ky është ligji” janë vetëm disa nga formulat të njohura të këtij modeli të sjelljes së përditshme dhe zakonshme, në bazë të të cilit njerëzit ia dorëzojnë vullnetin e tyre autoriteteve që qëndrojnë mbi ta.

Themes by WordPress