Sot u mbajt ceremonia e nënshkrimit të granteve dhe Panairi i bizneseve në pronësi të grave të minoriteteve. Në këtë ceremoni u bë nënshkrimi i 53 granteve.
Morën pjesë presidentja, Vjosa Osmani dhe drejtoresha e USAID-it, Mary Eileen Devitt.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti të USAID- it është forcimi i bizneseve dhe përmirësimi i kapaciteteve të tyre prodhuese dhe shërbyese.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani tha se gratë kontribuojnë konsiderueshëm në përmirësimin e ekonomisë sociale.
“Partneriteti me USAID është një udhëtim i përbashkët drejt një Kosove më të fortë e më prosperuese, është deshmi e palëkundur mes partneritetit të Kosovës dhe ShBA- ve
Ndarja e granteve për 53 biznese është më shumë se investim financiar, është shenjë besimi në aftësinë e sipërmarrësve tanë”, u shpreh ajo.
Presidentja gjithashtu shtoi se:
“Ne po punojmë që në një të ardhme këto biznese të jenë të suksesshme në fushat e tyre si në Kosovë, ashtu edhe përtej kufijve tanë. Jam e bindur që përmes këtyre granteve puna do të vazhdojë me më shumë përkushtim”.
Drejtoresha e USAID- it, Mary Eileen Devitt, tha se kjo ceremoni tregon përkushtimin e Qeverisë së ShBA- së për t’i ndihmuar bizneseve të vogla që t’i tejkalojnë krizat që po përjetojnë.
“Në thelbin e sistemit të vlerave është që të gjithë njerëzit nuk duhet që të jenë vetëm të përfshirë por edhe të ndërlidhur me vendin që i takojnë. Angazhimi gjithëpërfshirës i të gjitha segmenteve siguron një rritje ekonomike më të madhe. Shoqëria bëhet më e fuqishme dhe më e madhe. Në Kosovë gratë dhe komunitetet hasin në pengesa kur marrin pjesë në sfera të shoqërisë e sidomos në ekonomi, kjo është arsyeja që ne sot marrim pjesë këtu. Këto grante do të iu ndihmojnë që t’i mbijetoni pasojave të pandemisë dhe do të ju ndihmojnë që të jeni konkurrent në tregjet vendore dhe ndërkombëtare”, tha ajo.
Nermine Mahmuti, drejtoreshë ekzekutive në CDF, tha se qëllimi kryesor i aktivitetit gjithëpërfshirës ekonomik është të ofrojë mundësi të shtuara ekonomike dhe të rrisw qwndrueshmwrinw e ndwrmarrjeve tw synuara.
Pas ceremonisë së nënshkrimit, u mbajt edhe një panair produktesh që kanë prezantuar ofertat e 25 bizneseve në pronësi të grave dhe pjesëtarëve të minoriteteve.
/TV Arbëria