Blog Post

Arbëria TV > Lajme > “Nënshkrimet e serbëve po blihen”, kryekomunari i Leposaviqit reagon për peticionin kundër tij

“Nënshkrimet e serbëve po blihen”, kryekomunari i Leposaviqit reagon për peticionin kundër tij

Këtë të mërkurë në Leposaviq ka filluar mbledhja e nënshkrimeve për peticionin përmes të cilit kërkohet shkarkimi i kryetarit aktual Lulzim Hetemi.

Tenda ku qytetarët serbë hedhin nënshkrimin e tyre është përballë zyrës së Hetemit, i cili që prej 26 majit të vitit të shkuar vetëm më 28 dhjetor doli njëherë nga aty.

Ai për shkarkimin e tij thotë se do e respektojë kur gjithçka shkon sipas udhëzimit administrativ.

“Kanë nis sot, do të vazhdojnë, ne jemi këtu. Ne i kemi lejuar dhe duhet t’i përbahen udhëzimit administrativ”, tha Hetemi.

Megjithatë, Hetemi ngre dyshime se qytetarët po paguhen nga grupe të caktuara për të nënshkruar.

“Janë disa informacione dhe kemi parë që prej tendës së bardhë kanë kaluar te ajo tjetra dhe jam i bindur që kanë shpërndarë edhe para”, tha ai.

Lulzim Hetemi mund të largohet nga pozita e kryetarit pa bërë një vit, nëse gjithçka shkon sipas afateve ligjore.

Ai nuk ka ndërmend të kandidojë përsëri për të udhëhequr në Leposaviq.

“Nuk do të garoj, e kam pas një cak dhe e kemi arritë, shtrirjen e sovranitetit në Leposaviq, në veri e gjithë Kosovën”, tha Hetemi.

Për shkarkimin e Hetemit duhen 20% e nënshkrimeve të votuesve të regjistruar në këtë komunë, saktësisht 2691 nënshkrime.