Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Nën përvojën gllabëruese të kohës

Nën përvojën gllabëruese të kohës

Shkruan: Afrim Kasolli

Tashmë kur ka filluar të davaritet atmosfera festive e vitit të ri, më shumë se çdo herë tjetër imponohen pendehmat mbi peshën gllabëruese të kohës. Kjo e fundit falë fuqisë së saj të mistershme e përvetëson çdo gjë që është shfaqur brenda harkut të saj.

Sipas mitologjisë antike, perëndia e Cronus-it (Kronit), që ishte personifikim i kohës, ishte një nga titanët që erdhi në jetë nga Gaia(Toka) dhe Uranusi (Qielli) duke u fronëzuar si sundimtar absolut. Këtë pushtet ai e fitoi nga akti i atëvrasjes. Sepse deri në çast, Qielli nuk i shqitej kurrë Tokës.

Kjo e fundit mbetet vazhdimisht shtatëzën me një mori bijsh që nuk kanë mundësi të dalin nga barku që rrinë mu atu ku i ka ngjizur Qielli. Mirëpo, për shpëtuar nga ky tmerr, Toka e instrukton Kronin se si kastrojë të atin. Kështu, duke e tredhur këtë të fundit, Kroni përmbushë një etapë themelore në lindjen e kozmosit. Ai e ndan qiellin dhe tokën, krijon një hapësirë të lirë midis tyre dhe kështu gjithçka që do të prodhojë toka, gjithçka që do ta sjellin në jetë qeniet e gjalla, do të ketë një vend për të marrë frymë për të jetuar.

Nga njëra anë, hapësira është zhbllokuar, por edhe koha, ama është shndërruar. Për aq kohë, sa Urani rendonte sipër Geas nuk kishte brezni të njëpasnjëshme, ato qëndronin të rrasura brenda qenies që i kishte prodhuar. Që nga çasti që Qielli tërhiqet, Titanët mund të dalin nga pëqiri i nënës e të bëjnë fëmijë edhe vetë. Fillon kështu një vijimësi brezash. (Gjithësia, Perënditë, Njerëzit, Jean Pierre Vernant).

Natyrisht, këtë omnipotencë të kohës do ta përmbys vetëm Zeusi, duke transmetuar mesazhin se vetëm një autoritet sovran mund t’i shmanget pushtetit të kohës. Ai që lidhet me përjetësinë. Në traditën platonike idetë u kumtuan si të përjetshme, kurse në religjionet Abrahamike ky pushtet e mori aureolën e Zotit.

Por me “Vdekjen e Zotit” të Nietzche dhe “Fundin e Metafizikës” te Heideggeri, a do të thotë se koha përsëri e ka rifituar pushtetin e saj fillestar, duke e gllabëruar çdo gjë brenda harkut të saj? Dhe për më shumë a ka shpëtim nga tentakulat e saj.

Këtu duhet kujtuar se edhe në mendimin para-sokratik nocioni i phusis-it, kishte ngjashmëri me atë të kësaj tradite mitike. Sipas Martin Haideggerit në librin “Einführung in ide Metaphysik”, ‘’Qenia‘’ e kishte kuptimin e phusis-it. Ajo që manifestohej, shfaqej dhe çelej nga vetvetja. Dhe ky nocion “mistik” në vetvete “abstrakt” nuk mund të paramendohet pa shfaqjen e tij. Pra të qenësuarit është i lidhur me kohën. Ky raport “intim” manifestohet në kohë, çfarë edhe formëson boshtin tematik të veprës “Qenia dhe Koha” (Being and Time).

Shtegdaljen nga kjo përvojë, por edhe nga ajo e thashethemnajes ditore, ky mendimtar e gjen tek fokusimi ynë në vdekjen e pashmangshme, apo “qenësimin drejt vdekjes”. Mirëpo, përkundër kësaj “metafizike të mortalitetit”, kuptimin mbase mund ta kërkojmë te burimet teorike të një trashëgime që po ashtu derivon nga kjo traditë metafizike.

Sipas, Shën Augustin –it, që pikërisht “fillimi i ri të jetë i mundur, u krijua njeriu” (that a begininig be made, man was created). Kurse, për Hannah Arendt-in, “çdo fillim, para se të bëhet ngjare historike, është kapaciteti suprem i njeriut, pra politikisht ai është identik me lirinë”. Prandaj, fal kësaj të fundit mund ta kërkojmë shpëtimin nga vargonjtë e “rikthimit të amshueshëm i së njëjtës”. Pra nga aftësia për inicim të diçkaje të re, njeriu e sfidon fuqinë e mistershme të kohës dhe rrjedhjen e saj monotone. Ky edhe është mesazhi simbolik i vitit të ri. /TV Arbëria