Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > ​Nën betim, Boris Johnson mohon se ka gënjyer për festat në pandemi

​Nën betim, Boris Johnson mohon se ka gënjyer për festat në pandemi

Ish-kryeministri britanik, Boris Johnson, ka insistuar “me dorë në zemër” se nuk i ka gënjyer kurrë ligjvënësit për disa festa që janë mbajtur gjatë pandemisë së koronavirusit në ndërtesën e Qeverisë.

Një komitet i Parlamentit britanik është duke e marrë në pyetje Johsonin rreth deklaratave të tij kundërthënëse për festat e organizuara, të cilat i kanë thyer rregullat e atëhershme për luftim të pandemisë.

Nëse ky komitet arrin në përfundim që Johnson ka gënjyer me vetëdije, atëherë ai rrezikon pezullim, apo edhe humbje të ulëses në Parlament.

Në nisje të seancës, Johnson është betuar me dorë në Bibël dhe ka thënë, “dorën në zemër…. unë nuk kam gënjyer para Parlamentit”.

Johnson ka thënë se gjithçka që ka thënë para Parlamentit e ka thënë “në mirëbesim” dhe sipas këshillave të ndihmësve të tij.

Ai, po ashtu, e ka kritikuar Komitetin, i cili përbëhet nga katër anëtarë konservatorë dhe tre nga partitë opozitare, duke thënë se është duke vepruar si “hulumtues, prokuror, gjykatës dhe juri”.

Seanca tri-orëshe ka qenë një tjetër pikë e nxehtë e karrierës së tij, e cila është përcjellë me disa skandale në vjetët e fundit.

Johnson, 58-vjeçar, i ka fituar zgjedhjet me Partinë Konservatore më 2019. Mirëpo në korrik të vitit 2022, ai është detyruar, nga partia e tij, që të japë dorëheqje, për shkak të atyre që janë konsideruar skandale lidhur me paratë, etikën dhe gjykimin.

Pas raportimeve se janë organizuar festa në dhjetor të vitit 2021, Johnson u ka thënë vazhdimisht ligjvënësve se ai dhe stafi i tij i kanë ndjekur gjithmonë rregullat.

Në një raport paraprak këtë muaj, Komiteti parlamentar britanik, ka thënë se të dhënat sugjerojnë se do të duhej të kishte qenë “e qartë” për Johnsonin se organizimet në Qeveri më 2020 dhe 2021 i kanë shkelur rregullat për luftim të pandemisë.

Mirëpo Johnson ka thënë se nuk i është dukur kurë se organizimet – në të cilat ka pasur tortë, verë, djathëra dhe dhurata – i kanë shkelur kufizimet që i ka fuqizuar Qeveria e tij për gjithë shtetin.

Ai ka thënë se “sinqerisht beson” se pesë organizimet në të cilat ka marrë pjesë, kanë qenë “takime të ligjshme pune” në të cilat ka tentuar të rrisë moralin e punëtorëve që janë përballur me pandeminë vdekjeprurëse./TV Arbëria

Powered by WordPress